Pamje nga një seancë e Kuvendit të Shqipërisë - Foto: REL/Reuters

Deputetja boshnjake i dërgon letër Edi Ramës për mos miratimin e rezolutës që njeh gjenocidin serb në Srerbrenicë

Deputetja në parlamentin e Bosnjës, Sabrina Cudiq, i është drejtuar me një letër kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama lidhur me rezolutën e Srebrenicës e cila nuk kaloi në Kuvendin e Shqipërisë para disa ditësh.

Në letrën e Cudiq thuhet se Rama e ka për detyrë t’i shpjegojë opinionit evropian, shqiptarëve dhe boshnjakëve pse rezoluta për gjykimin e gjenocidit të Srebenicës nuk ka hyrë në agjendën e Kuvendit të Shqipërisë.

Në letrën e publikuar në Twitter, deputetja e partisë “Nasha Stranka” tutje ka thënë se mënyra se si Rama ka bartur e përgjegjësitë tek opozita është poshtëruese për viktimat.

“Kjo më forcon mendimin që rezoluta është përdorur për përleshje të brendshme politike në vendin tuaj. Po ju përkujtoj se askush nuk e ka penguar partinë e juaj që ta propozojë dhe ta miratojë rezolutën sepse e keni shumicën në parlament”, thuhet në letrën e saj drejtuar Ramës.

Letra e plotë e deputetes Cudiq drejtuar kryeministrit Edi Rama:

Foto: Sabrina Cudic, Twitter
Foto: Sabrina Cudic, Twitter

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas lajmit se në Kuvendin e Shqipërisë u rrëzua rezoluta që njeh gjenocidin e Srebrenicës.

Përmes rrjetit social, Twitter, Rama ai u shpreh se kjo është një lojë e ulët e një të shpalluri të korruptuar nga SHBA, duke aluduar në ish kryeministrin Sali Berisha.

Rama theksonte se ndjen keqardhje për ata që ndihen të lënduar nga kjo lojë e ulët.

“Keqardhje për ata që pa e pasur idenë fare të kësaj loje të ulët, ndjehet gabimisht të lënduar dhe neveri për ata që i shkojnë pas avazit të një të damkosuri si katran me bojë, po Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë”, ka shkruar Rama.

Kuvendi i Shqipërisë me 12 maj ka rrëzuar kërkesën e deputetit Tritan Shehu për të votuar rezolutën që dënon gjenocidin serb në Serbrenicë në Bosnjë-Hercegovinë.