Kallxo.com

Kryeministri Ramush Haradinaj nderon shkrimtaren Elena Kadare

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur të hënën shkrimtaren Elena Kadare në kryeministri dhe i ka dorëzuar dekoratën, ‘Hartën e Artë të Kosovës’.

Mirënjohja shkrimtares Kadare i është ndarë në shenjë respekti për kontributin që ajo ka dhënë për kulturën dhe kombin në përgjithësi.

Për kryeministrin Elena Kadare përfaqëson vlerat më të larta kombëtare dhe falë saj dhe Ismail Kadare bota i njohu më mirë shqiptarët.

‘Elena dhe Isamil Kadare i kanë dhënë kombit vlerat më të larta letrare, duke na  ndihmuar në që të jemi ata që jemi sot. Por, jo vetëm kaq falë tyre shumë popujve të tjerë u ndihmuan që të dinë për ne’, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ndërsa shkrimtarja Elena Kadare ka pohuar se me shumë kënaqësi e pranon dekoratën  pasi siç ka thënë ajo Kosova për të është gjithmonë ka qenë një gjë e veçantë.

‘Kjo dekoratë është shumë domethënëse dhe e kam të vështirë të gjej fjalët e duhur për të shprehura atë që ndjej’, ka thënë Kadare.