Presidenti Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj – Foto: Facebook/HashimThaci

Krijohen Strukturat e Reja për Asociacionin e Komunave Serbe

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me presidentin Hashim Thaçi, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kushtetutën dhe ligjet në fuqi kanë riaktivizuar ekipin menaxherial, i cili do të bëjë draftimin e statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Draftimi i statutit do të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, i cili do të përbëhet nga 3 mekanizma punues: Ekipi menaxhues, Komiteti zbatues si dhe Grupi nacional konsultativ, të cilët do të garantojnë përfshirje të gjithë spektrit politik, shoqërisë civile dhe mekanizmave të tjerë relevant të shoqërisë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

“Në këtë proces do të jenë të përfshirë edhe mekanizma ndërkombëtarë, të cilët e kanë ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat dhe ky do të jetë një hap i rëndësishëm i Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euro-atlantike”, thuhet në njoftim.

Drafti final i statutit në fund të procesit bashkë me direktivën do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për t’u siguruar se është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Kosova me këtë hap përmbushë edhe një obligim ndërkombëtar, duke dëshmuar përkushtimin e saj në rrugën euro-atlantike”, përfundon njoftimi i Qeverisë së Kosovës.