Petar Petkoviq në takim me Mirosllav Lajçak, Foto: Petar Petkoviq/X

Petkoviqi thotë se bisedoi me Lajçakun për themelimin e Asociacionit

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se bisedoi të hënën në Bruksel me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për marrëveshjet e arritura mes dy vendeve deri tani, në veçanti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.Asocia

Ai njoftoi në rrjetin social X se një ekip ekspertësh nga Beogradi morën pjesë në bisedimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe hartimin e draft-statutit të tij.

“Si gjithmonë, erdhëm në Bruksel të përgatitur mirë!” shkroi ai.

Propozimi i zyrtarëve perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, iu dorëzua kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 21 tetor nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Kurti tha për herë të parë se draft-statuti për themelimin e Asociacionit është “i pranueshëm sepse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Dokumenti u pranua edhe nga presidenti serb Vuçiq. Autoritetet serbe thanë publikisht se ai është në përputhje edhe me Kushtetutën e Serbisë dhe me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut me Kosovën.

Vendet e tjera perëndimore – SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe Italia – e mbështetën atë.

Pjesë e diskutimeve, sipas tij, ishin edhe shtensionimi i situatës në veri të Kosovës, çështja e të zhdukurve dhe tema të tjera.

Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u rritën dukshëm më 24 shtator kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë të Zveçanit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Tre sulmues serbë u vranë në luftimet që pasuan.

Përgjegjësinë për sulmit e 24 shtatorit e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Ndërkohë, Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./REL