Sarajevo Times: Çfarë përfaqëson kryeministri i Kosovës në BeH? Disa interesa nuk mund të blihen duke lobuar 

Ekziston një nevojë, por edhe realiteti i pashmangshëm se fati i Kosovës dhe gjithçka që ndodh ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është i lidhur në mënyrë të parezistueshme me Bosnjën dhe Hercegovinën (BeH). Herë më pak, herë më shumë, dhe heroi kryesor i këtyre paraleleve është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në një fjalëkryq mjaft të lartë të profilit gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor, Kosova po përballet me një sfidë të madhe, përkatësisht me formimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në veri të Kosovës. Perëndimi këmbëngul që të respektohen marrëveshjet e mëparshme, të cilat përfshijnë Bashkësinë e Komunave më Shumicë Serbe, ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përpiqet të dalë nga situata për të mos rënë dakord për diçka që do t’i ngjajë entitetit Republika Srpska (RS) në BeH.

Përveç emrit Bashkësi e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin Kurti pretendon se mund të jetë vetëm bashkësi komunash me shumicë serbe, problemi i Kurtit është juridiksioni i asaj zone, e cila do ta kishte një autonomi të caktuar. E, edhe pse Kosova njihej si e preferuara e Perëndimit, veçanërisht e Amerikës, sot e njëjta ajo merr kritika të ashpra, madje edhe sanksione për shkak të situatës në veri të Kosovës, e mbi të gjitha për shkak të refuzimit të formimit të Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.

Në muajin e fundit, Perëndimi ka pasur një qëndrim mjaft të butë ndaj Beogradit zyrtar, gjë që ngre pyetje të shumta në lidhje me ndryshimin e pretenduar të politikës ndaj saj. Në këtë kontekst, mesazhet e Kurtit, me të cilat ai i kundërshton shumë diplomatë të huaj politikisht, filluan të vërehen me shumë vëmendje edhe në BeH. Pse? Thjesht sepse narrativa që u krijua në BeH shkon kryesisht në drejtimin që perëndimi filloi ta krijojë një rend të ri në Ballkanin Perëndimor, ku Serbia dhe Shqipëria do të kenë fjalën kryesore duke i përmbushur disa nga dëshirat e Kroacisë, dhe ku viktimat e supozuara janë BeH, Kosova dhe Mali i Zi. Kjo histori pasohet nga tema e Ballkanit të Hapur.

Kësisoji, u arrit të dëgjoheshin teza se pavarësisht faktit që lojaliteti dhe lobimi dekadësh  për Kosovën në Perëndim, prapë nuk dha rezultate të veçanta dhe se Kosova po e humb betejën e saj në sa i përket Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në veri të terrtorit të saj. Kjo është veçanërisht interesante nga pikëpamja e BeH, ku u diskutua gjatë se si BeH ka lobuar pak ose aspak në botë, se zëri i BeH nuk u dëgjua në botë, etj. Kjo u përdor në kontekstin e Kosovës për ta justifikuar disi se edhe lobimi nuk do të thotë asgjë nëse është në rrezik interesi më i madh.

Megjithatë, harrohet se Kurti, për shembull, kur e kundërshton Perëndimin në kuptimin politik, e bën këtë me shumë zgjuarsi. Ai është i pranishëm në mediat më të mëdha perëndimore ku e elaboron në mënyrë aktive qëndrimin të cilin e mbron. Megjithatë, për shkak të qëndrimit të tij të hapur, mospërputhjes ndaj Beogradit dhe refuzimit të tij për të rënë dakord për Ballkanin e Hapur, Kurti është shumë i popullarizuar në BeH, pra në pjesën pro-boshnjake apo boshnjake. Aq shumë i popullarizuar saqë duket se ai mund të vazhdojë të angazhohet në politikë edhe në BeH./Sarajevo Times

Përgatiti: Nuhi Shala