Një Asociacion Serb në Kosovë do ta kërcënonte integrimin dhe paqen

Pakica serbe në Kosovë tashmë gëzon të drejta të konsiderueshme sipas kushtetutës së vendit. Themelimi i një asociacioni të komunave me shumicë serbe vetëm se do ta thellonte edhe më tej ndarjen etnike.

Një temë aktualisht e dominon të ashtuquajturin dialog mes Kosovës dhe Serbisë – asociacioni politik i komunave të Kosovës me shumicë serbe, i njohur ndryshe si ‘Asociacioni Serb’.

Siç ka ndodhur shpesh, një temë që më parë nuk luante një rol kaq të rëndësishëm, befas shndërrohet në fokusin e politikës dhe medias kombëtare dhe ndërkombëtare. Kësaj radhe, po ashtu, motoja është: nëse pajtoheni me këtë, atëherë…

Deri më tani, në veçanti kosovarët u kanë besuar këtyre njoftimeve, të cilat përsëriten thuajse si një lloj melodie, sidomos nga ana e Bashkimit Evropian. Momenti që Shtetet e Bashkuara i bashkohen korit ‘më në fund duhet të jetë një pikëkthese’ në negociatat përndryshe negociata këto të avashta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë, megjithatë, kosovarëve u është dashur të mësojnë se kjo i ngjan më shumë asaj karotës së famshme që vendoset para gojës së gomarit. Besimi në përmirësim dhe besimi në mbështetjen e BE-së në procesin e integrimit kanë pësuar shumë në vitet e fundit për shkak se pak ka ndryshuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Sot, brenda BE-së, Kosova njihet si shtet i pavarur nga 22 prej 27 vendeve anëtare të BE-së. Është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk ka liberalizimin vizash me BE-në dhe ka shënuar pak progres në përpjekjen e tij për t’u bërë anëtar në, së paku, Këshillin e Evropës.

Themelimi i “Asociacionit Serb” në Kosovë është pjesë esenciale e marrëveshjes së prillit 2013 të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia nën patronatin e BE-së. Në këmbim, Serbia u zotua se nuk do ta pengojë më procesin e njohjes dhe integrimit ndërkombëtar të Kosovës. Parlamenti i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen brenda javësh. Parlamenti serb nuk e ka ndjekur asnjëherë këtë shembull.

Prandaj, mund të supozohet se një marrëveshje e bërë një dekade më parë, e cila as nuk u ratifikua nga të dyja palët, vështirë se mund të ketë një rëndësi të madhe, veçanërisht pasi Serbia i ka minuar fuqishëm përpjekjet e Kosovës për të fituar njohje dhe integrim më të madh ndërkombëtar që atëherë, në kundërshtim të qartë me angazhimin e saj për të mos e bërë një gjë të tillë.

Gjykata Kushtetuese në Kosovë, nga ana e saj, i ka gjetur dispozitat specifike të marrëveshjes në lidhje me ‘Asociacionin Serb’ si jokushtetuese në shumë aspekte. Një organizatë e tillë monoetnike me pushtet ekzekutiv në thelb e cenon frymën e kushtetutës, e cila shoqërinë kosovare e kupton si multietnike. Eshtë e panevojshme të thuhet se marrëveshja nuk është zbatuar.

Kosova nuk është shtet multietnik

Më shumë se dy dekada më parë që kur NATO ndërhyri për t’i dhënë fund sulmit brutal ushtarak të Serbisë në Kosovë, shumë pak ka ndryshuar për mirë në aspektin e bashkëjetesës së dy shteteve, pavarësisht promovimit të vazhdueshëm të ‘dialogut’ nga BE.

Asnjë pretendim në historinë e fundit të Ballkanit Perëndimor nuk është bërë më shpesh sesa pretendimi se ‘dialogu’ do të përmbyllej me një sukses të shpejtë. Kontradikta midis deklaratave politike të të gjithë pjesëmarrësve dhe gjithashtu shumë jopjesëmarrësve dhe realitetit të këtij mjedisi ende armiqësor vështirë se mund të ishte më e madhe.

Plani i Ahtisaarit i vitit 2007 parashikonte që, sipas kushtetutës së saj, Kosova duhet të jetë një “shtet multietnik”. Kosova nuk ishte asnjëherë një shtet multietnik as atëherë, as tani; as fqinjët e saj nuk janë, për shembull, Gjermania.

Në vitin 2020, misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, vlerësoi se shqiptarët përbënin pothuajse 95 për qind të popullsisë në Kosovë dhe serbët pak më pak se 4.5 për qind.

Katër grupet e tjera etnike vështirë se kanë luajtur ndonjëherë një rol në aspektin e numrit, por ky ndërtim i ‘multi-etnicitetit’ bëri të mundur që pakicave t’u jepen të drejta dhe privilegje të konsiderueshme në kushtetutë. Megjithatë, kryesisht janë serbët e Kosovës ata që përfitojnë nga këto privilegje, ndërsa pakicave të tjera pothuajse nuk u është kushtuar vëmendje.

Një vështrim më i afërt mund të kufizohet në të drejtat dhe privilegjet tashmë ekzistuese të pakicës serbe për ta marrë një përshtypje se çfarë do të thoshte në praktikë formimi i një “Asociacioni Serb”.

Sipas Planit të Ahtisaarit, i pranuar nga Kosova por i refuzuar nga Serbia, Kosova u rajonalizua në 38 komuna. Dhjetë prej komunave janë të populluara kryesisht nga serbët dhe për këtë arsye administrohen edhe nga serbët. Kjo është afërsisht 25 për qind e të gjitha komunave, për një komunitet me një pjesë prej më pak se pesë për qind të popullsisë së përgjithshme.

Disa komuna të vogla u themeluan me qëllimin e vetëm për t’i dhënë popullatës serbe komunën e tyre pasi nuk mund ta formonin shumicën në një komunë më të madhe.

Në veriun e Kosovës, ekziston një shumicë e qartë serbe, ndërsa komunat e tjera të udhëhequra nga serbët janë të vendosura në të gjithë 80 për qind të vendit, së bashku me banorët shqiptarë.

Tashmë të drejta të forta të pakicave në nivel kombëtar

Aktualisht, Kosova ka përafërsisht të njëjtin numër të banorëve sa ka qyteti gjerman i Hamburgut, megjithëse tendencat migratore kanë bërë që disa vëzhgues të ofrojnë vlerësime shumë më të ulëta se 1.9 milionë banorë.

Kosova ka dy gjuhë zyrtare, shqip dhe serbisht. Kjo ‘ndarje’ korrespondon me shumë fusha të tjera të jetës në nivel kombëtar dhe komunal në Kosovë, në nivel kombëtar në mediat publike apo rajonalisht në izolimin e përditshëm të dy grupeve etnike.

Parlamenti i Kosovës ka 120 ulëse. Nga këto, serbëve u janë garantuar 10 ulëse, afërsisht tetë për qind, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve. 10 ulëse tjera shkojnë për katër grupet e tjera etnike.

Pavarësisht nga kjo, çdo qeveri e Kosovës ka të paktën një ministër nga minoriteti serb dhe një nga grupet e tjera etnike. Nëse ka më shumë se 12 ministri, pakicat kanë të drejtën e një posti të tretë ministror. Sipas kushtetutës, gjithsej vetëm shtatë deputetë nga pakicat mjaftojnë për t’i bllokuar ndryshimet në kushtetutë.

Në asnjë vend tjetër të Evropës të drejtat e pakicave nuk janë aq të theksuara sa në Kosovë, edhe për shkak se bashkësia ndërkombëtare ishte e përfshirë në hartimin e kushtetutës. Megjithatë, apo ndoshta për shkak të kësaj, gatishmëria e pakicës serbe për t’u integruar në shoqërinë kosovare është tejet e kufizuar.

Pothuajse pa përjashtim, partitë në Kosovë janë të ndara sipas vijave etnike. Partia ‘Srpska Lista’, e themeluar në vitin 2014, jo vetëm që mbështetet, por kontrollohet nga Beogradi. Serbët që ndjekin një politikë të ndryshme, më të orientuar drejt integrimit, janë nën presion të fortë nga kjo parti; disa figura të njohura janë persekutuar, ndërsa njëri prej tyre, Oliver Ivanoviq, u vra në vitin 2018.

Pas zgjedhjeve më të fundit, Lista Srpska ia doli t’i fitonte të gjitha 10 ulëset e rezervuara për pakicën serbe në parlament. Në këtë mënyrë, Beogradi ka gjithmonë një pikëmbështetje si në parlamentin e Kosovës ashtu edhe në çdo qeveri të Kosovës dhe ndihmon në drejtimin e politikës së Kosovës.

Të gjitha komunitetet e Kosovës tashmë kanë juridiksion mbi buxhetin e tyre, p.sh. strukturimin ekonomik, shërbimet publike, infrastrukturën, arsimin fillor dhe të mesëm ose kujdesin parësor shëndetësor. Në komunat e mëdha serbe si Mitrovica në veriun e Kosovës, ato kanë edhe më shumë kompetenca në arsim dhe shëndetësi (terciar).

Në komunat ku së paku 10 për qind e banorëve i përkasin grupeve pakicë, së paku një përfaqësues i këtij grupi etnik ka të drejtë të mbajë poste në kuvendin komunal. Meqenëse policia është e organizuar në nivel kombëtar, të gjithë qytetarët e Kosovës kanë qasje dhe nga policia kërkohet që ta pasqyrojë situatën multietnike në Kosovë. Megjithatë, në praktikë – gjithashtu sipas marrëveshjes së vitit 2013 dhe ligjit në fuqi për policinë – prania e policisë në nivel komunal ka tendencë ta reflektojë shumicën etnike përkatëse. Në komunat me shumicë serbe, edhe serbët kanë të drejtë ta emërojnë komandantin e policisë.

Në komunat me shumicë serbe, gjuha serbe mësohet dhe studiohet, ndërsa gjuha shqipe nuk ofrohet as si lëndë zgjedhore. Në komunat e mbizotëruara nga shqiptarët e kundërta është e vërteta. Tashmë mund të thuhet se gjeneratat e ardhshme të këtij vendi të vogël në rastin më të mirë do ta kuptojnë njëri-tjetrin nëpërmjet një gjuhe të transferimit (p.sh. anglisht). Edhe përmbajtja arsimore ndryshon shumë – historia e Kosovës sigurisht që paraqitet ndryshe nga shqiptarët në klasë sesa nga serbët… veçanërisht në një sistem izolimi që tashmë është i betonuar.

Shkurtimisht, mund të thuhet se një ‘Asociacion serb’ siç kërkohet do ta konsolidonte dhe me sa duket do ta zgjeronte autonominë tashmë të gjerë të administratës serbe në nivel lokal me një përfaqësim kombëtar të interesave.

Ky asociacion do të rregullohej sipas ligjeve ekzistuese të Kosovës, por në të njëjtën kohë do të përfshihej si një strukturë paralele, si një nivel shtesë ekzekutiv, të cilin Kushtetuta e Kosovës nuk e parasheh. Prandaj, sipas gjykimit të Gjykatës Kushtetuese, një strukturë e tillë është antikushtetuese.

Një strukturë e tillë do ta rriste më tej ndikimin e Beogradit dhe do të kontribuonte në shpërbërjen e mëtejshme të politikës kosovare.

Marrëveshjet e vitit 2013 madje parashikojnë që sovraniteti i policisë dhe gjyqësorit në komunën e banuar me serbë duhet të zgjerohet, ndërkohë që forcat e sigurisë serbe të Kosovës, të financuara nga Serbia deri atëherë, do të integrohen në forcën policore të Kosovës dhe do të paguhen nga shteti i Kosovës.

Një vështrim në praktikën e përditshme mund ta bëjë të qartë edhe një herë se ligjshmëria aktuale vështirë se mund të vendoset në kushtet aktuale të ndarjes në Kosovë.

BE rrezikon ta bëjë një tjetër gabim të madh në Ballkan

Serbët e Kosovës në veri nuk i kanë paguar faturat e energjisë elektrike për 20 vjet. Deri më tani, shpenzimet është dashur të përballohen nga pjesa tjetër e banorëve kosovarë. Në çdo shtet tjetër, konsumatorëve të cilët nuk i paguajnë faturat, do t’iu ndalej energjia elektrike. Mirëpo, në Kosovë, do të kishte protesta të serbëve, ose të paktën protesta të iniciuara nga Serbia.

Debati për targat e automjeteve, i cili duket kaq qesharak për të huajt, tregon gjithashtu se sa e fortë është status quo-ja e refuzimit absolut të Kosovës nga Serbia. Vetëm ata që kanë tentuar të kalojnë kufirin, p.sh. kufirin gjerman, në një veturë të regjistruar në Kosovë, shiko “çmendurinë e përditshme” [në asnjë rrethanë mos e trego pasaportën, pasi nuk ka vulë hyrjeje për Serbinë, largoji targat e Kosovës dhe bashkangjitja një mostër të targave serbe, paguaj tarifat administrative…].

Kur Kosova donte t’i jepte fund kësaj marrëzie, pati një revoltë dhe një ‘zbutje’ të menjëhershme nga bashkësia ndërkombëtare. Edhe kjo temë në dukje qesharake është larg zgjidhjes, kështu që kush është ai individ në Kosovë që duhet t’i besojë ende deklaratave të plota të politikanëve ndërkombëtarë që kanë më shumë se 10 vjet që shpallin zgjidhje të shpejtë në të ashtuquajturin dialog?

BE-ja u bë moderatore e të ashtuquajturit dialog mes Kosovës dhe Serbisë, pa pasur një mandat të qartë nga të gjitha shtetet anëtare. Nuk ka mënyrë tjetër për ta interpretuar faktin se pesë shtete anëtare të BE-së nuk e kanë njohur as Kosovën si shtet të pavarur. Pra, sa përputhet kjo me “pranimin e Republikës së Kosovës në bashkësinë e shteteve të BE-së”?

A nuk do të ishte një qartësim i brendshëm i BE-së në rendin e ditës para se ta merrte rolin e ndërmjetësit?

Kosovarët në mënyrë të përsëritur kanë vuajtur nga kjo ambivalencë në politikën e BE-së shumë më tepër sesa serbët. Në fund të fundit, Serbia ka qenë një vend zyrtar kandidat prej vitesh, ashtu si Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së. Bosnja dhe Hercegovina u bë kandidate zyrtare në fund të vitit të kaluar.

Serbia dhe shtetet e përmendura sigurisht që nuk i përmbushin kriteret e anëtarësimit më mirë se sa Kosova. Vetëm shikojeni lirinë e shtypit, pavarësinë e gjyqësorit dhe shumë çështje të tjera esenciale të integrimit. Krahasuar me Serbinë, por edhe me fqinjët e tjerë të saj, raportet e organizatave ndërkombëtare flasin për progres në Kosovë në fushën e sundimit të ligjit dhe demokratizimit, veçanërisht që nga koha kur partia Vetëvendosje mori qeverisjen e vendit.

Serbia madje mori statusin e kandidatit edhe pse kishte mosmarrëveshje të pazgjidhura kufitare me fqinjët e saj. Në Kosovë, gjithnjë e më shumë po mendohet se nuk ka një matës uniform për integrimin në BE. Në vend të kësaj, interesat gjeopolitike mbizotërojnë. Serbia e luan hapur ‘kartën e Putinit’ dhe në të ardhmen ndoshta do ta luajë ‘kartën Xi’ nëse nuk i merr përjashtimet dhe trajtimin e veçantë që kërkon.

Ka edhe interesa ekonomike sepse Serbia është (përsëri) një partner ekonomik i kërkuar për disa vende të BE-së dhe ka “më shumë për të ofruar” se Kosova, e cila tashmë në ish-Jugosllavi ishte lënë prapa industrialisht dhe ekonomikisht. Fatkeqësisht, për shumë kosovarë, Gjermania duket se është pjesë e kësaj pakoje.

Pra, nëse shikoni situatën aktuale në Kosovë dhe marrëdhëniet e saj me Serbinë, ka pak arsye për optimizëm.

Komuniteti ndërkombëtar ka shkaktuar shumë dëme në Ballkan në tërësi dhe ka bërë një sërë gabimesh serioze. Bosnja dhe Hercegovina e sotme mund të shërbejë vetëm si një shembull i këtij dëmi dhe këtyre gabimeve.

Histeria aktuale në BE dhe Serbi për domosdoshmërinë absolute të krijimit të një ‘Asociacioni Serb’ do të sillte një gabim tjetër ‘inovativ’ duke u dhënë pakicave të vogla aq shumë privilegje sa që kjo vetëm do të mbështeste tendenca të mëtejshme dhe më të forta demarkacioni – dhe jo integrim social.

Kosova do të shndërrohej në një vend të ndarë – në gjuhë, histori dhe politikë, por edhe në jetën e përditshme.

Kushdo që mendon për bashkëjetesë paqësore dhe madje integrim duhet të jetë duke parë ëndërra, sepse një politikë e tillë e njëanshme nuk ka çuar asnjëherë në një mirëkuptim të përbashkët të qëndrueshëm dhe një identitet të përbashkët e të qëndrueshëm për një shtet dhe qytetarët e tij.

/Balkan Insight

Frank Hantke është ish-drejtor i Friedrich-Ebert-Stiftung, FES, me seli në Prishtinë. Ka punuar për FES në Ballkanin Perëndimor për rreth 15 vjet dhe më parë ka qenë drejtor në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri.

Mendimet e shprehura janë të autorit dhe nuk i pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.
Ky shkrim fillimisht është publikuar në Balkan Insight.