Kurti: Pse Serbia nuk themelon asociacione për 11 komunat që udhëhiqen nga kryetarë joserb?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka publikuar një tabelë në të cilën ka treguar se 11 komuna në Serbi udhëhiqen nga kryetarë joserb, duke pyetur se përse Serbia nuk ua mundëson formimin e asociacioneve një etnike atyre, ndërsa po kërkon një gjë të tillë nga Kosova.

“Minoritete në Serbi zyrtarisht llogariten 21 sosh: kroatët, bunjevcët, bullgarët, boshnjakët, shqiptarët, hungarezët, romët, rumunët, rusinët, sllovakët, ukrainsët, lidhja hebreje, ashkalinjët, vllehët, grekët, egjiptianët, gjermanët, sllovenët, çekët, maqedonët, malazezët”, ka shkruar ai në facebook.

Sipas Kurtit, asociacione në Serbi mund të formojnë, hungarezët, boshnjakët, shqiptarët dhe bullgarët.

“11 komuna në Serbi udhëhiqen nga kryetarë joserb. Asociacione një-etnike komunash do të mund të formonin hungarezët, boshnjakët, shqiptarët dhe bullgarët. Pse Serbia nuk ua mundëson këtë, përderisa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë?”, ka theksuar ai.

Kosova po përjeton presionin të madh politik për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe (AKS).

Zyrtarë amerikanë themelimin e AKS-së po e quajnë si veprim të domosdoshëm, ndërsa marrëveshja fillestare për të po kundërshtohet pasi nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Javën e kaluar kryeministri Kurti ka propozuar gjashtë kushtet e Kosovës për asociacionin.

Kurti tregon 6 kushtet mbi të cilat Kosova mund ta konsiderojë themelimin e Asociacionit (kallxo.com)