Albin Kurti: Asociacioni do të thotë një lloj shteti brenda shtetit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të thotë një shtet brenda shtetit.

Ai në një intervistë në TV Klan tha se me këtë marrëveshje është bërë një pushtet i tretë në Kosovë që përfaqëson serbët karshi Prishtinës.

“Marrëveshja për Asociacionin e ka një aparteid përbrenda sepse bën ndarje mbi baza etnike, nga policia, gjykata. Aty bëhet një nivel i tretë i pushtetit që përfaqëson serbët karshi Prishtinës. Praktikisht bëhet një lloj entiteti autonom që ka lidhje vertikale me Beogradin, do të thotë një lloj shteti brenda shtetit, ashtu si Republika serbe në Bosnje e cila e ka sabotuar atë shtet”- tha Kurti.

Tutje, Kurti shtoi se Kosova duhet të marrë mësim nga ajo që ka ndodhur në Bosnje me ndarje të entitetit serb. Ai shtoi se Serbia dëshiron defunksionalizim të shtetit të Kosovës.

“Duhet që të marrim mësim nga Bosnja dhe të mos bëjmë ato gabime. Serbët me këtë Asociacion marrin çerekun e territorit të Kosovës. Serbët kanë ulëse të rezervuara në Kuvend, përmes planit të Ahtisarit, por Serbia tani dëshiron territorializim të këtyre privilegjeve. Qëllimi i Beogradit është defunksionalizimi i shtetit të Kosovës”- shtoi Kurti.