Bleon Gubetini

Kosovës i 'troket' edhe një futbollist, njihuni me Bleon Gubetinin!

Djaloshi 17 vjeçar, Bleon Gubetini ka lindur në qytetin e Varbergut në Suedi pasi prindërit e tij, Ibrahim dhe Mejreme Gubetini kishin ikur si refugjatë nga lufta e Kosovës.

Pasioni i tij i madh është futbolli, të cilin ai e praktikon që nga mosha 6 vjeçare.

“I kam 17 vjet dhe kam nisur të luaj futboll kur i kam pasur 6 vjeç. Luaj në ekipin e Varberg Boys, aty kam filluar të luaj dhe ende luaj aty”

Përveç pasionit për futbollin ai është duke e ndjekur në qytetin e Varbergut edhe shkollën për ekonomi. Përderisa paradite ai ndjek mësimet për ekonomi kohën në mesditë ai ia kushton stërvitjeve për futboll.

“Ushtrimet nuk më pengojnë në performancën time në shkollë, unë e shoh futbollin si terapi, kur unë luaj futboll ndihem i qetë e kur të vi në shpi mund të mësoj më mirë”

Që nga fillimet e tij në futboll Bleoni ka ndryshuar edhe pozitat si lojtar në fushë në ekipin e Varbergut. Ai filloi si mesfushor e përfundoi si sulmues.

“Kur i kam pasur 6 vjet nuk ka qenë me rëndësi shumë se në cilën pozitë luan por vetëm me msu me lujt futboll ama tu u rritë ia kam nisë me lujt si mesfushor e tash si 16 e 17 vjeçar kam filluar të luaj si sulmues, gati në krejt pozicionet di të luaj vetëm si mbrojtës jo”

17 vjeçari nga Varbergu i Suedisë ka treguar se ai stërvitet pesë herë në javë nga 1 orë e 30 minuta por shumë shpesh ndodhë që ai të stërvitet me orar shtesë.

Bleoni ka dëshirë që të luaj në përfaqësuesen e Kosovës, madje ai ka thënë se do të refuzonte edhe ofertën e Suedisë vetëm e vetëm që të luaj për Kosovën.

“Pasi Kosova është vendlindja e prindërve të mi, kam shumë dëshirë të luaj për kombëtaren e Kosovës”

Bleonit i është plotësuar dëshira për të luajtur për vendlindjen e prindërve të tij pasi ka marrë ftesë për të luajtur për përfaqësuesen e Kosovës U 17.

Futbollisti i talentuar shqiptar në Suedi është shprehur se ekipi i tij i zemrës është Real Madridi kurse lojtarët e tij të preferuar janë Cristiano Ronaldo dhe Marco Asensio, të dy lojtarë të ‘Los Blancos’. Bleoni ka thënë se ëndrra e tij është që të luaj në ligat e futbollit jashtë Suedisë.

“Dëshira ime është të luaj futboll në Angli. Arsyeja është se më pëlqen futbolli atje edhe vendi është i mirë”, tha Bleoni.

Ai ndoshta edhe pak kohë nuk do të luaj në vendin ku ka lindur futbolli, në Angli por Bleoni ka marrë ftesë për të luajtur në ekipin e Ada Alcorcon nga Madridi në Spanjë.

Gubetini ka shprehur preferencat e tij edhe për lojtarët shqiptarë që luajnë në ligat më të forta të Evropës të cilët do të donte t’i ndiqte si shembuj.

“Lojtarët e mi të preferuar që luajnë jashtë janë Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka”, thotë Bleon Gubetini.