Foto: Alfa.mk

Kosova Ofron FSK-në pas Vërshimeve në Shkup

Qeveria e Kosovës u ka shprehur ngushëllime qytetarëve dhe qeverisë së Maqedonisë pas vërshimeve të mëdha që e kapluan Shkupin të shtunën pasdite në të cilat raportohet se kanë humbur jetën të paktën 15 persona.

Në një deklaratë të lëshuar, qeveria e Kosovës thotë se i ka përcjellur me shqetësim dhe dhimbje të madhe ngjarjet e shkaktuara nga moti i lig, që kanë ndodhur orët e fundit në Maqedoni.

“Me këtë rast, Qeveria e Kosovës shpreh gatishmërinë e plotë që të ofrojë ndihmën e saj të pakursyer për shtetin fqinj Maqedoninë, në çdo aspekt ku ka mundësi, për tejkalimin sa më të shpejtë të situatës së krijuar”, thuhet në deklaratë.

“Qeveria e Kosovës, po ashtu, thekson gatishmërinë për të dërguar në ndihmë njësite të specializuara për kërkim dhe shpëtim në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në rast nevoje”, thuhet në deklaratë.