Behgjet Pacolli | Foto: Facebook

Kosova Mirëpret Deklaratën e Izetbegoviqit rreth Njohjes nga Bosnja

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, e ka përshëndetur deklaratën e anëtarit e presidencës së Bosnjës, Bakir Izetbegoviq, rreth njohjes së Kosovës nga vendi i tij.

Pacolli e ka quajtur konstruktive, vizionare dhe pozitive deklaratën e Izetbegoviqit.

“Duke pasur parasysh që Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina janë shtetet e vetme ish jugosllave që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës, njohja nga Bosnje dhe Hercegovina do të ishte një hap natyral dhe i domosdoshëm për thellimin e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajonit”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij në “Facebook”.

Një njohje e tillë nga Sarajeva, sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, do të kontribuonte për paqen dhe stabilitetin rajonal.

“Kemi ndërtuar raporte të shkëlqyeshme me të gjitha vendet e rajonit. Ne kemi vullnet të mirë që të ndërtojmë raporte të mira ndërshtetërore edhe me Bosnje dhe Hercegovinën dhe Serbinë”, ka shtuar Pacolli.

Sipas tij, sa më shpejtë të kuptohet realiteti i një Kosove si shtet sovran dhe i pavarur, aq më i madh dhe i hovshëm do të ishte progresi dhe prosperiteti i gjithë Europës Juglindore.

Mediat boshnjake cituan Bakir Izetbegoviqin të ketë thënë në një intervistë për RDW se Kosova do të duhej ishte njohur deri më tani dhe se “përpjekjet tona për ta bërë këtë vetëm sa dëmtuan marrëdhëniet brenda Bosnjës dhe Hercegovinës dhe nuk bënë asgjë për ta ndihmuar Kosovën”.

“Unë shpresoj se po”, është përgjigjur Bakir Izetbegoviq i pyetur nëse Bosnja do ta njohë Kosovën.

Ai ka thënë se mund ta kuptoni se kush po e pengon këtë proces.

“Janë politikanët serbë të Bosnjë e Hercegovinës, të cilët shpesh janë më të ngurtë se ata serbë“, ka thënë Izetbegoviq.

Gazeta “Oslobodjenje” shkruan se ministri serb i Policisë, Nebojsha Stefanoviq, ka reaguar pas këtyre deklaratave të Izetbegoviqit, duke pritur që presidenti serb “të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë 48 orëve të ardhshme”.

Deklarata e Bakir Izetbegoviqit u dënua edhe nga anëtari tjetër i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Mladen Ivaniq.