Kosova Kundërshton Jeremiqin në OKB me Protestë dhe Letër

Një grup qytetarësh janë mbledhur në sheshin e Prishtinës për të protestuar kundër kandidaturës së ish ministrit serb të punëve të jashtme, Vuk Jeremiq për postin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

Nga sheshi “Zahir Pajaziti” në adresë të OKB-së në Nju Jork është nisur një letër në të cilën të rinjtë kosovarë kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj kësaj kandidature.

“Serbia ka vrarë njerëz në vendin tonë dhe asnjëherë nuk ka pranuar fajin e le më të kërkojë falje për gjenocidin e kryer në Kosovë”, thuhet në letrën të cilën para protestuesve e lexoi Jeta Berisha.

Në letër thuhet se Jeremiq, gjatë kohës sa ka qenë ministër i jashtëm i Serbisë vazhdimisht është angazhuar për përjashtimin e Kosovës nga forumet ndërkombëtare.

“Ne kërkojmë që ta anuloni kandidaturën e Vuk Jeremiqit derisa Serbia ta pranojë trashëgiminë kriminale dhe fushatën e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve në luftën e viteve 1998- 1999”, thuhet në letër.

Në prezantimin e kandidaturave javën e kaluar, jeremiq doli i treti me vota në garën për ta zgjedhur pasuesin e Ban Ki-moon në postin e sekretrit të përgjithshëm të OKB-së.

Por për Nesrete Kumnova nga organizata “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova që përfaqëson familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, Jeremiq është kandidatura më e keqe e mundshme për këtë post.

“Bota demokratike duhet t’i ndëshkojë kriminelët e jo t’i favorizojë ata. U bëjmë apel të gjitha shteteve anëtare të OKB-së që kandidati nga serbia është jeremiq i cili jo vetëm gjatë kohës sa ishte MPJ i Serbisë dhe si kryeëtar i AAP të OKB gjithmonë ka mbjellë urrejtje ndaj shqiptarëve”, tha Kumnova.

“Serbia si pushtuese dhe shtet kriminal ende nuk i ka zbuluar varrezat masive. Duam që në OKB të na udhëheqin njerëz kredibilë. Jeremiq e ka penguar vetë zbulimin e fatit të të pagjeturve”, tha Kumnova.