Kosova Kërkon të Jetë Aktive në Çështjet Globale të Klimës

Marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015 në Paris që udhëzon shtetet e Ballkanit Perëndimor që t’i rishikojnë strategjitë për energjinë mund të jetë edhe pjesë qenësore e angazhimit të këtyre shteteve   drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Kështu u vlerësua në konferencën rajonale të organizuar nga “Balkan Green Foundation” dhe “Rockfeller Brothers Fund”.

Marrëveshja nuk është nënshkruar nga Kosova për shkak të statusit që ajo mban në raport me Organizatën e Kombeve të Bashkuara mirëpo është e paraparë që edhe Kosova të bëjë ndryshime në raport me planin energjetik për mbrojtjen e ambientit.

Ulrike Lunacek, nënkryetarja e Parlamentit Evropian, përmes një mesazhi të xhiruar, ka vlerësuar gjendjen energjetike të Kosovës si një indikator në kualitetin e jetës së qytetarëve si dhe ka propozuar ndryshime sipas saj të nevojshme.

“Rezoluta e Parlamentit Evropian për Kosovën ka shprehur shqetësimin për gjendjen energjetike në Kosovë e cila ka efekt negative në jetën e përditshme të qytetarëve. Reformat madhore për të rritur efiçiencën dhe qëndrueshmërinë e furnizimit përmes investimeve janë të nevojshme dhe kjo vlen për të gjithë rajonin”, tha Lunacek.

Samuel Zbogar, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se ky proces mund të jetë efikas vetëm nëse ka përfshirje edhe të shoqërisë civile që, sipas tij, nuk është fenomen i shpeshtë në Ballkan.

“Roli i shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor është ende i dobët. Por mjedisi dhe energjia mund të jenë përjashtim në këtë aspekt sepse kam parë që për herë të parë në Kosovë dhe në rajon e më gjerë, shoqëria civile angazhohen me qeverinë dhe japin vlerësimin e tyre”, vlerëson Zhbogar.

Ndërkaq ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani në diskutimin rreth veprimeve konkrete të Kosovës për mbrojtjen e mjedisit , ka deklaruar se nuk përkrah ndërtimin e termocentralit të ri nëse vërtetohet se dëmton ambientin.

“Nëse do të ketë një ndikim mjedisor ose social në jetën e qytetarëve nga termocentrali i ri atëherë përfundimisht nuk do të jem ai që do ta nënshkruaj. Ai studim duhet të jetë i përfunduar mirë dhe me argumente”, tha Agani.

Ai tha se edhe Kosova duhet të veprojë si anëtare e familjes botërore në çështje klimatike, pavarësisht se nuk është anëtare e dokumentit të Parisit të nënshkruar para disa ditësh nga 170 vende të botës.

Haki Abazi nga Fondacioni Rockefeller Brothers tha se rajoni është i vendosur para dy opsioneve.

“Njëri është që të vazhdojmë të flasim bukur dhe të japim strategji që në letër përkrahin trendët botërore, apo t’i bashkangjitemi trendit që ëhstë nisur për zhvillim ekonomik e social në një zhvillim të qëndrueshëm që ofron mundësi për gjeneratat e tashme por kanë kujdes edhe për gjeneratat që vijnë”, tha Haki Abazi.

Për marrëveshjen në përgjithësi, Visar Azemi nga “Balkan Green Foundation”, tha se mund të jetë një nga udhët për integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Kjo është një mundësi që rajoni ynë nuk mundet të humbasë, është një mundësi që rajoni të transformohet politikisht, ekonomikisht dhe në aspektin e ndërtimit të marrëdhënieve ndërmjet vete. Kjo mundësi e bën rajonin pjesë integrale të BE-së”, tha Azemi.

KALLXO.com po e transmeton drejtërdrejt këtë konferencë në kanalin e vet në Youtube:

http://kallxo.com/live-konferenca-per-integrimin-e-ballkanit-ne/