Deputeti Abazi vendos në foltore të Kuvendit pankartë për rastin e vdekjes së 4 vjeçares nga Gjakova

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi ka vendosur në foltore të Kuvendit një pankartë lidhur me rastin e vdekjes së 4-vjeçares nga Gjakova në QKUK më 19.02.2024.

“U shua një 4 vjeçare. Trup, turp, turp, turp”- ka shkruar Abazi në këtë pankartë në seancën e Kuvendit më 22.02.2024.

Kuvendi i Kosovës po mban sot seancë plenare ku në rend të ditës janë pikat e pa përfunduara nga seancat e kaluara.

Haki Abazi në shkurt të vitit 2023 ka ndarë rrugët me Lëvizjen Vetëvendosje.

Një 4-vjeçare nga komuniteti rom ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës më 19.02.2024. Atje ishte referuar nga Spitali i Gjakovës, ku ishte trajtuar paraprakisht.

Ky rast është duke u hetuar nga Policia dhe Prokuroria. Rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”, ndërkaq trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Kjo vdekje ka nxitur disa reagime publike.

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka kërkuar hetimin e rastit duke ngritur dyshime mbi menaxhimin e rastit nga institucionet shëndetësore, brenda të cilit thotë se mund të gjenden vepra penale, shkelje etike e profesionale dhe trajtim jo human.

Grupi i organizatave të shoqërisë civile “Human Rights Network” ka deklaruar se janë thellësisht të tronditur dhe të shqetësuar me rastin e vdekjes së 4-vjeçares nga Gjakova.

Lidhur me këtë rast janë deklaruar edhe institucionet që i ofruan trajtim shëndetësor viktimës. SHSKUK si mbikëqyrëse e QKUK-së dhe spitaleve rajonale ka thënë se ka kërkuar raporte të detajuara nga QKUK dhe Spitali i Gjakovës, ku pacientja ishte trajtuar paraprakisht dhe se të njëjtat do t’i shqyrtojë.

Vdekja e 4-vjeçares – Inspektorati Shëndetësor bëri inspektim në Spitalin e Gjakovës