VIDEO - Abazi: Kundër këtij Asociacioni është derdhur gjak, Kurti ka ecur përmbi atë gjak
Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për veprimet e djeshme në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
Abazi ka thënë se Kuvendi do të ketë reagim të jashtëzakonshëm lidhur me çështjen e asociacionit, pasi sipas tij Kurti ka ardhë në pushtet me kauzën kundër asociacionit.
“Jam i bindur që ky parlament në mos me gaz lotsjellës do të ballafaqohet me një reagim jashtëzakonisht të madh jo për faktin që është pranu asociacioni po për faktin që kundër këtij asociacioni kanë vdekur njerëz, është derdhur gjak, Kurti ka ecur përmbi atë gjak, kundër këtij asociacioni është bërë kryeministër, me atë kauzë ka ardhë në pushtet dhe nuk mundet kaq lehtë me thënë se është bisedë konfidenciale sa herë që i shkon për shtati”- u shpreh Abazi.
Ai tutje ka kërkuar nga Kurti që të raportoj në Kuvend për zhvillimet në dialogun Kosovë – Serbi.
“Kurti duhet të vijë këtu jo për të na sqaruar vetëm neve se çfarë ka bërë por për t`i sqaruar njerëzve që ju ka dhënë besën që asociacioni bashkë më zajednicën nuk do të vijnë në shprehje”- tha ai.
“Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023” – thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Qeveria ka lëshuar një komunikatë pas takimeve që kryeministri Albin Kurti ka pasur me udhëheqës europianë dje në Bruksel.