LDK: Jemi e vetmja parti në Kosovë që ka program për ta zgjidhur problemin e energjisë

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka kritikuar qeverinë Kurti lidhur me çmimin e energjisë elektrike në Kosovë, duke theksuar se qytetarët po pranojnë fatura me shifra marramendëse.

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi tha se gjatë qeverisës së Albin Kurtit, çmimi i rrymës është rritur dy herë.

“Çmimi i energjisë elektrike është rritur dy herë gjatë qeverisjes së Albin Kurtit i cili si opozitar u thoshte qytetarëve që çmimi i energjisë elektrike është shumë i shtrenjtë. Një mashtrues tipik, klasik. Kjo qeverisje për tri vite s’ka rritur asnjë megavat kapacitetet”- u shpreh ai.

Azemi tutje tha se LDK është e vetmja parti në Kosovë që ka program specifik për ta zgjidhur problemin e energjisë.

“LDK është e vetmja parti në Kosovë që ka program specifik për ta zgjidhur problemin e energjisë dhe për t’iu shmangur krizave energjetike. Siç e kemi thënë edhe në programin tonë “Rruga e Re”, e shohim të pashmangshëm ndërtimin e centralit me gazin amerikan me kapacitet prej 500 megavatë.”- tha Azemi.

Ndërsa tha se ngritja e çmimit vjen edhe si pasojë e mos funksionimit të bllokut A5.

“Duhet ta kuptojmë se si erdhi deri të ngritja e energjisë elektrike që ka ndodh dy herë gjatë qeverisjes Kurti. Ta kujtojmë që blloku A5 ishte mbajt jashtë funksionit për disa muaj të terë që mundësojë shokëve të Kurtit, Nagipit e Martinit të shisnin energjinë me shuma të mëdha.” – tha ai.

Në Kuvendin e Kosovës, javën e kaluar, partitë opozitare propozuan një rezolutë për uljen e çmimit të energjisë elektrike, por e njëjta nuk u hodh në votim për shkak të mungesës se kuorumit.