Lojtarë të kombëtares shqiptare - Foto: FSHF

Kosova Humb si Nikoqire, Shqipëria Barazon si Mysafire

Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar humbjen e shtatë rresht në kualifikimet për Botërorin “Rusia 2018”.

Në ndeshjen e kthimit me Finlandën, të zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, në kuadër të Grupit I, Kosova humbi me rezultat minimal 1 me 0.

Golin e vetëm për mysafirët e shënoi Teemu Pukki në minutën ’83.

Kështu, përfaqësuesja e Kosovës mbetet e fundit në tabelë me vetëm një pikë të marrë nga ndeshja e kaluar pikërisht me Finlandën, saktësisht një vit më parë.

Ndërsa, kombëtarja e Shqipërisë ka barazuar në ndeshjen me Maqedoninë fqinje.

Ndonëse avancoi me golin e Odise Roshit në minutën ’53, përfaqësuesja shqiptare humbi 3 pikët pas golit të shënuar nga penalltia nga Aleksandar Trajkovski në mënutën ’78.

Loja, e vlefshme për Grupin G, u zhvillua në Strumicë.

Pas kësaj ndeshjeje, Shqipëria mbetet e treta në grup ndërsa Maqedonia e parafundit.