Kosova dhe Norvegjia nënshkruajnë marrëveshje në vlerë prej 2.5 milionë euroshe

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim ambasadorin e Norvegjisë nё Kosovё, Per Strand Sjaastad’s, me të cilin ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për implementimin e projektit për digjitalizimin e legjislacionit dhe harmonizimin gjuhësor të tij, të financuar nga shteti norvegjez, në vlerë prej 2.5 milionë eurosh.

Siç bëhet e ditur në komunikatën e lëshuar nga zyra e kryeparlamentarit, në takimin e mbajtur Veseli ka falënderuar ambasadorin Sjaastad’s, dhe shtetin norvegjez për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, kryeparlamentari Veseli tha se me anё tё digjitalizimit tё legjislacionit, qytetarët e Kosovës, mediat, organizatat e shoqërisë civile, partitë politike, institucionet e ndryshme, do tё kenё qasje tё lehtë edhe tё menjëhershme tek ligjet e Kosovës.

Veseli tha se ky projekt, i modelit “Lowdata”, si njëri nga modelet më tё avancuara tё digjitalizmit tё ligjeve, tё zbatuar me dekada tё tёra nё shtetin e Norvegjisë, shënon hapin e parë të E-Qeverisjes nё Kosovё.

“Harmonizimi gjuhësor ёshtё komponenta e dytё e rëndësishme e këtij projekti. Ky harmonizim është tejet me rëndësi për shoqërinë tonë multietnike, ngase përmes tij evitohen mospërputhjet mes ligjeve në gjuhë të ndryshme. Në këtë drejtim jemi duke punuar së bashku me partnerët tanë në një fjalor zyrtar tre gjuhësh, shqip-serbisht-anglisht. Shumica e buxhetit për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm do të jetë donacion nga shteti i Norvegjisë ndërsa pjesërisht projekti do të financohet edhe nga buxheti ynë”, citohet të këtë thënë  kryeparlamentari Veseli.

Ai shtoi se nga sot, demokracia parlamentare e Kosovës është më afër trendeve bashkëkohore të legjislacionit dhe transparencës ndaj qytetarëve.

Ambasadori norvegjez, Per Strand Sjaastad’s, nga ana e tij, theksoi se financimi i këtij projekti është konfirmim i mbështetjes së shtetit që ai përfaqëson, për reformat në Kosovë.

“Ky projekt do të jetë një mekanizëm shumë i rëndësishëm dhe i përdorshëm për të gjithë ligjvënësit, për profesionistët ligjorë, si prokurorët dhe avokatët, si dhe të gjithë qytetarët e thjeshtë në këtë vend”, citohet të ketë thënë ambasadori Sjaastad’s, duke shtuar se kontributi i Norvegjisë në këtë projekt do të jetë rreth 2.3 milionë euro. Ai falënderoi Kryeparlamentarin Veseli për bashkëpunimin e ngushtë me shtetin norvegjez dhe ka vlerësuar lart rolin e tij për demokratizimin dhe transparencën e Kuvendit të Kosovës.