QKUK përfiton 20 ventilatorë mobil nga Norvegjia, Zvicra dhe Luksemburgu

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka përfituar 20 ventilatorë mobil nga fondet e qeverive të Norvergjisë, Zvicrës dhe të Luksemburgut.

Në dorëzimin e këtij donacioni, ishin të pranishëm ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Maria Suokko, ambasadori norvegjes Erik Groandahl dhe ambasadori zviceran, Jean-Hubert Lebet.

Sipas njoftimit, kontributi nga qeveritë norvegjeze, zvicerane dhe të Luksemburgut për blerjen e këtyre ventilatorëve është 1,17 milion dollarë. Me këto para janë blerë 40 ventilatorë, 20 prej tyre që janë dorëzuar sot, ndërsa pjesa tjetër në fund të muajit qershor.

“Është nder për mua të pranoj këtë donacion në emër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Dua të falënderoj qeveritë e Norvegjisë, Zvicrës dhe Luksemburgut për fondet dhe UNDP-në për blerjen e ventilatorëve mobilë që do të shpëtojnë jetë”, citohet të ketë thënë ministri Zemaj.

Ndërsa Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Maria Suokko, tha se UNDP qëndron bashkë me qytetarët dhe institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër COVID-19 dhe për të reaguar ndaj ndikimeve nga pandemia.

“Donacioni i sotëm u bë i mundur përmes kontributit bujar nga qeveritë e Norvegjisë, Zvicrës dhe Luksemburgut, dhe ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës që ata bashkëpunuan me ne në mbështetje të Kosovës në këto kohë të vështira”, citohet të ketë thënë Suokko.

Ventilatoërt janë të prodhuar në Kinë, të certifikuar me çertifikatën e BE-së dhe me sigurimin e cilësisë nga Njësia Globale e Prokurimit e UNDP-së, në Kopenhagë.