Gjatë takimit mes ambasadorit të Norvegjisë në Kosovë dhe Kryetarëve të Komunave të Kosovës, Foto KLGI/Facebook

Ambasadori norvegjez në Kosovë takon kryetarët e komunave

Kryetarët e Komunave të Kosovës gjatë ditës së sotme u takuan me Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë Strand Sjaastad.

Ky takim sipas ambasadorit ishte organizuar si takim joformal i cili kishte për qëllim të tregohej për arritjet, sfidat dhe perspektivat në fushën e Qeverisjes Lokale në Kosovë.

“Ky takim ka për qëllim diskutimin se si të përparohet qeverisja lokale. Kosova ka bërë arritje të madhe në dhjetë vitet e fundit pas pavarësisë së saj duke vendosur një sistem gjithëpërfshirës të qeverisjes lokale. Ambasada e Norvegjisë do të jetë një partner afatgjatë, konstruktiv për qeverisjen lokale, njëkohësisht mbështetës i Institutit KLGI”, thuhet në njoftimin e Institutit KLGI (Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale) të cilët ishin bashkë organizator në këtë takim.

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, theksoi se nëse komunat prodhojnë rezultate, Kosova është e suksesshëm, për shkak se komuna është dora e parë e shtetit që ofron shërbime për qytetarët e Kosovës.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, Besnik Muçaj, tha se Qeverisja Lokale ka shënuar rezultate, për të cilat tregojnë raportet vendore dhe ndërkombëtare.

Në këtë takim u tha edhe se mbetet që të bëhet forcimi i demokracisë lokale e cila përfshin: Rritjen e pjesëmarrjes, Transparencës dhe llogaridhënies; Përfaqësimi i barabartë gjinor në pozita drejtuese dhe vendim-marrje; Përfshirje të komunitetit dhe Shoqërisë Civile; Para se gjithash, rritjen e pronësisë së qytetarëve në politikat lokale.