Nënshkruhet memorandum mirëkuptimi me Ambasadën e Norvegjisë për ngritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes

Sot u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Ambasadës Mbretërore të Norvegjisë për mbështetjen e rritjes së kapacitetit dhe efikasitetit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe forcimin e reformave të ndërmarra nga ministri i Mbrojtjes.

Siç ka njoftuar ministria, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, shprehu mirënjohje për Qeverinë norvegjeze për mbështetjen me këtë projekt, krahas ndihmës dhe mbështetjes së shumanshme të ofruar në ndërtimin, zhvillimin dhe të arriturat e deritashme të vendit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Nga ana e tij, ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl theksoi se ky projekt është rezultat i vlerësimit të lartë të lidershipit të ministrit Mehaj si dhe vlerësimit për nevojën e mbështetjes së qëllimeve strategjike dhe objektivave të tij qeverisës.

Ai siguroi ministrin Mehaj se përkrahja nga Norvegjia do të jetë permanente edhe në të ardhmen në funksion të zhvillimit dhe avancimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Këtë memorandum e përshëndeti edhe atasheu amerikan i mbrojtjes, kolonel Stephen Rose.

Projekti filloi me angazhimin e ish-sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Mbrojtjes, Rozafa Ukimeraj në cilësi ekspertes për ofrimin e  ekspertizës së saj në mbështetje të politikave për përmbushjen e objektivave qeverisës të ministrit Mehaj dhe Ministrisë së Mbrojtjes.