Korrigjimi i kufirit, Kongresmeni Engel: SHBA-të përkrahin vendimet e liderëve të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë qëndrimit në SHBA-ka takuar edhe kongresmenin amerikan, Eliot Engel, i cili është përkrahës i popullit të Kosovës.

Pas takimit, Engel tha se me Thaçin kanë diskutuar shumë gjëra.

“Ne kemi diskutuar shumë gjëra. Kemi diskutuar për marrëdhëniet e afërta që janë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Kemi folur për të ecur tutje dhe për faktin se të dyja vendet duam të shohim integrimin e Kosovës në BE dhe në organizata ndërkombëtare. Ishte një bisedë e mirë. Ne jemi miq prej disa vitesh.  Do të vazhdoj të kërkoj përkrahje për njerëzit në Kosovë, në mënyrë që SHBA-të dhe Kosova të punojnë për së afërmi bashkë”, tha kongresmeni Engel.

Ndërkaq për idenë e “korrigjimit të kufiri”, Engel tha se nuk dëshiron të hyjë në specifika, por se përkrahë secilin vendim që e marrin liderët e Kosovës.

“Nuk dua të hyjë në specifika, por dua të flas për faktin se Shtetet e Bashkuara janë me Kosovën dhe me atë se çfarë liderët e Kosovës vendosin të bëjnë. Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në çfarëdo mënyre që është e mundur”, theksoi Engel.

Kurse presidenti Hashim Thaçi e ka cilësuar të shkëlqyer, takimin me siç tha, mikun e tij Eliot Engel.

“Si gjithmonë falënderuar dhe mirënjohës për angazhimin e tij për Kosovën, për lirinë dhe pavarësinë edhe tash në procesin e anëtarësimit ne NATO dhe Bashkimin Evropian. Ishte një kënaqësi e madhe të diskutojmë edhe për relacionet bilaterale mes Kosovës dhe SHBA-ve. Dhe unë shpresoj që mbështetja  e kongresmenit Engel do të jetë edhe më e fuqishme tash në fazën e tretë të Kosovës, atë të konsolidimit ndërkombëtar- anëtarësimin në NATO, BE dhe në organizatën e Kombeve të Bashkuara”, tha Thaçi.

Ai shtoi se kongresmenin Engel e ka informuar edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Natyrisht e informova edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe është një mbështetje e Shtëpisë së Bardhë edhe e Departamentit të Shtetit, Kongresit dhe Senatit që të lëvizet drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, një marrëveshje paqësore”, përfundoi presidenti Thaçi.