Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu në konferencën e sotme për shtyp - Foto: KALLXO.com

Konjufca: Shtyllat e Krimit Janë Thaçi e Veseli

Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar sot një konferencë pas publikimit në media të audio-incizimeve nga bisedat e zhvilluara mes zyrtarëve të PDK-së në vitin 2011.

Sipas shefit të grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, këto biseda të përgjuara, të cilat u publikuan dje, janë dëshmi që tregojnë se ekziston një skemë e organizuar e cila shtetin e ka kthyer në plaçkë dhe pushtet personal.

“Në këto përgjime kuptohet dhe merret vesh ajo që qytetarët e Kosovës e dinë dhe e kanë ditur gjithmonë por kësaj radhe po e dëgjojnë nga vetë goja e protagonistëve që kanë kapur shtetin. Është e vërtetë se në Republikën e Kosovës ekziston një skemë e organizuar e cila shtetin e ka kthyer në plaçkë dhe në pushtet personal”, tha Konjufca.

Sipas tij, shtyllat kryesore të krimit të organizuar në Kosovë janë presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli dhe kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

“Dy shtyllat të krimit të organizuar në Kosovë janë Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Dora e zgjatur e tyre, e cila i ekzekuton projektet e tyre, është kryetari i grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci”, shtoi ai.

Më tutje Glauk Konjufca tha se organet e drejtësisë nuk kanë nevojë për më shumë dëshmi, sepse dëshmia më e mirë janë vetë protagonistët e përgjimeve.

Ndërsa deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, tha se me publikimin e audio-incizimeve po dëshmohet se Kosova udhëhiqet nga kokat e krimit të nëntokës.

“Dje audio-incizimet e pakontestueshme edhe një herë kanë dëshmuar që Kosova nuk udhëhiqet nga politikanë të ndershëm por nga kokat e krimit të nëntokës. Natyrisht qe ky skandal gjithkund në botë do të duhej te bënte problem ose do të përbënte problem ndërsa në Kosovë ky regjim përmes mekanizmave që i kontrollon po mundohet ta kalojë në heshtje dhe të bëhet thuajse nuk ka ndodhur asgjë”, tha ajo.

Haxhiui më tej shtoi se pas këtyre publikimeve Kosova nuk do të jetë normale dhe se për aksione dhe protesta VV-ja do të dalë me njoftim.