Dhënia e mirënjohjeve | Foto: KALLXO.com

Komuna Shpërblen Nxënësit e Mirë

Arbërie Nagavci, drejtoreshë për Arsim në Komunën e Prishtinës tha se edhe vitin e kaluar ka pasur nxënës shumë të mirë në këtë komunë që kanë përfaqësuar shkollën, e pastaj edhe komunën në gara të matematikës.

“Uroj që secili prej jush të rritni sukseset tuaja, të na përfaqësoni në gara të ndryshme dhe në radhë të parë të plotësoni ëndrrat dhe dëshirat tuaja,” tha Nagavci .

Ajo u dha mirënjohje dhe disa libra nxënësve që kanë marrë pjesë në gara.

Liron Morina, nxënës i klasës së dymbëdhjetë në Gjimnazin “Sami Frashëri” ishte njëri nga nxënësit që mori mirënjohje nga Komuna.

Morina pas disa garave në vend, do të shkojë për ta përfaqësuar Kosovën edhe në garat e matematikës në Hong Kong.

“Kam marrë pjesë në olimpiadën e matematikës, sot e kam marrë një mirënjohje për vendin e dytë në garat komunale,” tha ai.

Ai thotë se pas garave komunale ka marrë pjesë në garën republikane dhe në një garë përfundimtare testuese nga e cila është përzgjedhur në mesin e gjashtë personave për Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës në Hong Kong.

“Prej këtyre gjashtëve tre jemi nga Komuna e Prishtinës, testimi ka qenë fer, niveli i detyrave ka shkuar shkallë-shkallë, duke u vështirësuar,“ shpjegoi Morina.

Ai thotë se në Hong Kong ka konkurrencë por ajo nuk i frikëson ata. Synimi i tyre është që të vazhdojnë më tutje.

Mirënjohje u ndanë për nxënësit e nivelit të arsimit parauniversitar të cilët treguan rezultate të larta në garat e ndryshme si Olimpiada e Matematikës, Shkencëtari i Ri, Olimpiada e Kimisë, Garat e Diturisë, Poezia më e Mirë, Piktura më e Mirë dhe Eseja më e Mirë, të realizuara gjatë vitit shkollor 2015-2016.