Foto: Komuna e Podujevës

Komuna e Podujevës shpërndau 100 makina mjelëse

Komuna e Podujevës gjatë ditës së sotme ka shpërndarë 100 makina për mjeljen e lopëve qumështore për fermerët e kësaj komune.

Për pesë përfituesit e parë, shpërndarjen e makinave mjelëse e ka bërë sot kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu, i shoqëruar nga drejtori i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi.

Përmes një njoftimi thuhet se kryetari Veliu me ketë rast ka thënë se krahas investimeve në sektorë e tjerë të bujqësisë, po vazhdohet me mbështetje në fushën e blegtorisë, në mënyrë që t’u lehtësohet puna për fermerët, prodhues të qumështit.

“Sot po shpërndajmë 100 makina mjelëse për fermerët tanë. Përmes mbështetjes me pajisje po mundohemi t’i ndihmojmë ata dhe ta lehtësojmë punën e tyre”, citohet të ketë thënë kryetari Veliu.

Veliu premtoi rritje të mbështetjes në sektorin e blegtorisë edhe gjatë viteve të tjera.