RTK - Foto: Atdhe Mulla

Komisioni Vazhdon Shqyrtimin e Draftligjit për Transmetuesin Publik

Sot gjatë mbledhjes së Komisionit për Administratë Publike dhe Qeverisje Lokale, anëtarët e këtij komisioni kanë vazhduar t’i shqyrtojnë propozimet për hartimin e draftligjit për transmetuesin publik të Kosovës, RTK.

Në këtë mbledhje anëtarët kanë diskutuar edhe për mandatin e drejtorit gjeneral të transmetuesit Publik të Kosovës.

Anëtari i këtij komisioni nga radhët e AAK-së, Rasim Selmanaj, propozoi që të saktoësohet mandati i drejtorit gjeneral me 7 vite pa mundësi rizgjedhje.

“Është mirë me u saktësu, mos me pas të drejtë rizgjedhje më drejtori. Nëse e saktësojmë vetëm për një mandat është më mirë. Unë personalisht jam për 7 vjet mandat pa mundësi rizgjedhje”, tha ai.

Ndërkaq, Shqipe Pantina, nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, propozoi që mandati të jetë për 4 vite.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit Nait Hasani (PDK) tha se duhet ta lënë 5 vjet me mundësi rizgjedhje.

Në nenin 26 pika 1 u vendos qe drejtori gjeneral duhet te zgjidhet nga Bordi në bazë të konkursit publik. Kohëzgjatja e mandatit të jetë 5 vjeçar me mundësi rizgjedhje.

Punimet e këtij komisioni do të vazhdojnë të enjten në ora 10:00.