Punetoret e RTK ne proteste - 28 janar 2019

Punëtoret e RTK-së: Leni pazaret politike, miratojeni ligjin e RTK-së

Punëtorët e Radio të Televizionit të Kosovës (RTK)  kanë protestuar para Kuvendin të Kosovës, me kërkesën që të hiqet transmetuesi publik nga ligji i pagave.

Ata po kërkojnë që të miratohet ligji i RTK-së, pasi që sipas tyre, ky ligj i zgjidh nevojat dhe problemet e televizionit, të cilat sipas tyre po e përcjellin tash e 20 vite.

Gazetari Gëzim Bimbashi, tha se Komisioni për Administratë, Qeverisje Lokale dhe Media e ka shndërruar RTK-në në ‘transmetues shtetëror’.

“Komisioni për Administratë, Qeverisje Lokale dhe Media e ka fut RTK-në në shërbim njëjtë sikurse të punonjësve të institucioneve të shtetit. Në vend se me na kriju mundësinë me qenë i publikut siç është edhe i themeluar, ky komision me veprimet e fundit me ligjin për paga e ka shndërruar televizionin publik në shtetëror”, tha ai.

Ai kërkoi që të lihen pazaret politike dhe që të ndihmohet Radio Televizioni i Kosovës.

“Qe 20 vite paritë politike kanë pasur mundësinë me i kthy RTK-së pavarësinë editoriale. RTK, sot e 20 vite nuk ka pronë, punëtorët nuk kanë kushte të punës, ne jemi duke punuar në hapësira të improvizuara, në garazhe”, theksoi ai.

Bimbashi paralajmëroi protestë me 31 janar ditën kur pritet që ky ligj të shkojë në Kuvend për miratim.

Gjithashtu, ai tha se nëse nuk do të merren parasysh kërkesat e tyre, gazetaret e RTK-së do t’i bojkotojnë të gjitha ngjarjet që kanë të bëjnë më Qeverinë, Kuvendin dhe partitë politike.