Anëtari i bordit të RTK-së thotë se buxheti i ndarë nuk i ndihmon për përmirësimin e programit për vitin e ardhshëm

 

Driton Hetemi, anëtar i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, e ka parë shqetësuese ndarjen e buxhetit prej 8.3 milionë euro.

Hetemi këtë deklaratë e ka dhënë para Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ku Bordi i RTK-së ishte duke raportuar për punën gjashtë mujore të vitit 2022.

“Për buxhetin e ndarë prej 8.3 milionë euro ne shprehim shqetësim sepse nuk na ndihmon me përmirësuar programin për vitin e ardhshëm. Kjo lidhet me kërkesën tonë për rritje të buxhetit. Ne nuk kemi ble asnjë produksion të jashtëm sepse nuk kemi pas asnjë cent për një gjë të tillë dhe ne kemi kërkesë ligjore për me ble produksione të jashtme”- ka thënë Hetemi.

Hetemi shtoi se gjenerojnë më pakë se një milion euro nga reklamat.

“Ne aktualisht gjenerojmë diku më pak se një milion euro nga reklamat. Një buxhet pak më i përshtatshëm na ndihmon me përgatitjen e vetëfinancimit që ne e planifikojmë në vitin 2024 me parapagimin e RTK-së”- tha ai.

Edhe anëtarja e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Shukrije Rama ka folur për gjendjen e arkivit të Radio Televizionit të Prishtinës (RTP).

Ajo ka thënë se gjendja e arkivit është e rëndë dhe jashtë kushteve elementare.

“Çështja e arkivit të RTP-së nuk është pronë e RTK-së. Konsideroj që është në interes publik. Është jashtë kushteve elementare për ruajtje të materialeve të Radio televizionit të Prishtinës. Ka probleme me ventilim, me tubacaione. Nëse nuk e marrim seriozisht çështjen e materialeve ne me dy këmbët po e shkelim pasurinë mediale”- ka thënë ajo.

Bordi i RTK-së ka raportuar sot punën gjashtëmujore të vitit 2022.

Kryesuesi i Bordit të RTK-së: Kemi dërguar tetë raste të keqpërdorimeve në Prokurori