Bordi i RTK-së përballet me kritika nga deputetët për Raportin vjetor 2020

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka prezantuar raportin vjetor për vitin 2020, para Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Sali Bashota, kryetar i Bordit të RTK-së, tha se ky është një raport që përmbledh punën e RTK-së. Sipas Bashotës, Bordi i RTK-së për 8 muaj ka qenë pa kuorum dhe sipas tij një barrë e madhe i ka takuar menaxhmentit.

“Tash jemi tetë anëtarë të Bordit dhe jemi munduar që t`i analizojmë të gjitha detajet e punës tonë”, tha Bashota.

Bashota ka kërkuar që të ketë ligj efikas të RTK-së.

“Nëse arrijmë të kemi një ligj efikas edhe Kuvendi do të kursehej nga buxheti por edhe ne që të kemi një infrastrukturë evropiane”, theksoi tutje ai.

Anëtarët e këtij komisioni nuk ishin të kënaqur me raportin që është sjell në Komision.

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka kërkuar Bordit që të vijë me një dokument shtesë për situatën aktuale që kanë dhe pronën që nuk e posedojnë, dhe se a kanë vizion lidhur me temën për objektin që duan ta kenë.

“Prona dhe financimi i qëndrueshëm për këto dy çështje kisha dashtë një raport 3 ose 4 faqe”, tha ai.

Debati është nxehur gjatë pyetjes kur anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes vetëvendosje Njazi Ilazi e ka pyetur kryetarin e Bordit të RTK-së se a respektohet për të gjithë punëtorët kodi i etikës duke përmendur një postim të zëvendësdrejtorit të RTK-së Mentor Shala në vitit 2019, i cili sipas tij ka shkruar se gjysma e popullsisë kanë votuar për Rusinë.

“Është skandaloze deklarimi i Mentor Shalës që tash është zëvendësdrejtor në vitin 2019 ku ka thënë  se 50% e popullsisë kanë votuar për Rusinë”, tha Isaku.

Bashota tha se nuk do të deklarohet për këtë çështje dhe se nuk ka informacion për këtë shkrim.

“Unë po e shoh për herë të parë. Unë si kryetar i Bordit nuk pajtohem me një deklaratë të tillë. I vetmi njeri që është përgjegjës ndaj Bordit është drejtori i përgjithshëm. Drejtori i përgjithshëm e menaxhon krejt institucionin. Nuk është përgjegjësi e imja kjo”, tha Bashota.

Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së Ngadhënjim Kastrati ka reaguar ashpër në përgjigjen se a kanë reaguar lidhur me rastin e shkrimit që kishte bërë në rrjetin social Mentor Shala.

“Nuk është përgjegjësi e Bordit mu marr me një punëtor të RTK-së. Po doni me bo çështje një rast të vitit 2019. Po e shoh që deputeti është tu dashtë me bo çështje por kam përgjigje për këta”, tha Kastrati.

Kryesuesja e Komisionit Doarsa Kica Xhelili ka kërkuar nga Kastrati që të ulë zërin ose sipas saj do kërkohet largimi i tij nga salla.

“Nëse keni pakënaqësi në lidhje me ndërhyrjet e të tjerëve ktheheni këtu dhe më tregoni e jo me bërtit. Nuk keni drejt me ngrit zërin… nëse nuk mund të flisni me zë normal ne do të duhet të kërkojmë që ju ta lëshoni këtë mbledhje e të vazhdojmë vetëm me anëtarët e Bordit”, tha ajo.

Kastrati tregoi se Shalës iu është tërhequr vërejtja.

“Të njëjtit i është tërheq vërejtja dhe e ka heq atë natë postimin. Në atë kohë nuk ka pas mbikëqyrës të tij i cili e fillon procedurën. 15 ditë nëse nuk dërgohet një person në komisionin disiplinor ajo lëndë hiqet. I njëjti e ka heq postimin nuk e ka në facebook”, tha Kastrati.

Besnik Tahiri anëtar i Komisionit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se ka pritur nga drejtori i Bordit që ta jep një sqarim të shkurt e jo ta transferoj këtë problematikë te menaxhmenti.

Ai tha se Mentor Shala ka qenë cak i sulmit nga LVV.

“Po nëse ka qenë në profilin personal edhe e ka heq, nuk e shoh të arsyeshme me pru në diskutim këtu”, tha Tahiri.

Kastrati është pyetur edhe për mbulueshmërinë e rrjetit të RTK-së në mbarë Kosovën.

Besim Muzaqi nga LVV ka kërkuar arsyetim për këtë çështje.

“Si mund të arsyetoni mbulueshmërinë e rrjetit në mbarë Kosovën, dhe përqindjet e temave arsimore dhe të tjera në emisione”, tha ai.

Kastrati tha se sa i përket mbulueshmërisë janë duke punuar.

Ndërkaq, sa i përket përqindjes së emisioneve Kastrati tha se do tua dërgojnë të dhënat.

“Me përqindje janë në raport dhe e përmbushin atë për çka jemi të thirrur. Nëse nuk është në raport përqindja e emisioneve kulturore e arsimore ua dërgojmë”, tha ai.

Edhe kryetari i Bordit Sali Bashota tha se “duhet të punojmë më shumë në këta sektor. RTK duhet të bëjë më shumë në të ardhmen në këtë drejtim për emisione edukative”.

Deputeti i LVV-së Fitim Haziri, ka përmendur një tender për marrjen me qera të makinave nga RTK-ja.

“Gjatë hulumtimit kam vërejtur se në 2019 RTK-ja ka nënshkruar kontratë në vlerë 517 mijë e 140 euro që ka marr vetura me qira më shumë se gjysmë milion euro nga 16 vetura një ka qenë kombi. Pse për vendim të qeverisë e gjetëm lajmin në faqen e RTK-së ndërsa, për një kontratë që e keni nënshkruar edhe ju që është vlera shumë më e lartë se çmimi i blerjes nuk bëni lajm për këtë a e ndjeni vetën fajtor që e keni leju një kontratë të tillë”, tha ai.

Sali Bashota tha se Bordi nuk merret me këto punë.

“Secili i kemi punët e ndara aty”, tha Bashota.

Ndërsa deputeti Haziti ka drejtuar pyetje për prokurorinë duke thënë se a kanë nisur hetim për këtë tenderim në prokurori apo jo.

Kryesuesja e Komisionit, iu është drejtuar Bordit të RTK-së duke u thënë se e kanë hapësirën që ti ngritin shqetësimet në komision sa herë është e nevojshme.