BE Kërkon më Shumë Transparencë për RTK-në

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë shpreh brengën e saj për mungesën e transparencës gjatë hartimit të amendamenteve të Ligjit  mbi RTK-në dhe miratimin e propozim-amendamenteve nga Komisioni Parlamentar për Media pa praninë e medieve dhe pa diskutime publike.

“BE-ja bën thirrje që Kuvendi të lejojë publikun e interesuar për të marrë pjesë në debatin mbi amendamentimet në pajtim me parimet e qeverisjes së mirë, Marrëveshjes për Stabilizim Asociimit në mes Kosovës dhe BE-së dhe Agjendës për Reforma Evropiane si mjet për implementim të MSA-së”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga BE.

Dje anëtarët e Komisionit Parlamentar për Media nuk lejuan mediet të përcjellin mbledhjen e këtij komisioni në të cilin u votuan amendamentet për RTK-në.

“BE-ja po ashtu i bën thirrje Kuvendit, si përfaqësues i popullit, që të krijojë hapësirë për diskutim publik dhe konsultime në çdo fazë të përgatitjes së amendamenteve të Ligjit për RTK-në”, vazhdon komunikata.

Sipas BE-së, kjo do të mundësonte që palët e interesit të japin kontributin e tyre në hartimin e ndryshimeve në mënyrë që ndryshimet t’i ofrojnë RTK-së mjetet e nevojshme për të ushtruar përgjegjësi publike të pavarur nga ndonjë ndikim dhe në të mirë të qytetarëve të Kosovës të cilëve u shërben.

BE-ja thotë se është e inkurajuar që përkundër vonesës së konsiderueshme, Qeveria dhe Kuvendi kanë vendosur të përmbushin dispozitat e ligjit mbi RTK-në të vitit 2012 të cilat përcaktojnë se zgjidhja rreth financimit të RTK-së duhet të gjendet fillimisht përmes abonimit dhe burimeve të tjera të pavarura të financimit.

“Megjithatë, BE-ja, është informuar se buxheti i shtetit do të mbetet burim i rëndësishëm, nëse jo de facto primar, i financimit të transmetuesit publik, që mund të dëmtojë pavarësinë afatgjate editoriale dhe financiare të RTK-së, veçanërisht në një situatë ku nuk dihet se si mbledhja e tarifës së parapagimit është e rregulluar”, përfundon komunikata.

Dje KALLXO.com shkroi për mbylljen e mbledhjes në të cilën u diskutua për Projektligjin e RTK-së.

http://kallxo.com/deputetet-kerkojne-kthimin-e-parapagimit-per-rtk-ne/