Seanca e Kuvendit - Foto: Atdhe Mulla

Kërkohet Seancë e Jashtëzakonshme e Kuvendit për Deportimin e Shtetasve Turq

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës me mbështetjen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes dhe atij të Grupit të Deputetëve të Pavarur ka filluar procedurat për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për rastin e deportimit të gjashtë shtetasve të Republikës së Turqisë.

Lajmin e ka bërë të ditur Grupi Parlamentari i LDK-së nëpërmjet një komunikate.

“Duke marrë parasysh mos harmonizimin e veprimeve institucionale të Qeverisë së Kosovës lidhur me rastin e deportimit të gjashtë shtetasve të Republikës së Turqisë si dhe duke pas parasysh pasojat të cilat janë krijuar nga kjo ngjarje dhe ikjen nga përgjegjësia e kësaj qeverie para Kuvendi të Republikës së Kosovës, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës me mbështetjen e Grupit Parlamentar të VV dhe GDP filluan procedurat për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për rastin e deportimit të gjashtë shtetasve të Republikës së Turqisë”, thuhet në komunikatë.

Seanca kërkohet të mbahet ditën e martë më datë 03.04.2018.