Dhuna ndaj gruas - Foto: REL/Shutterstock

Kërkohet rritja e buxhetit për strehimore

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të ndajnë buxhet të mjaftueshëm për strehimoret për të mbijetuarit e dhunës në baza gjinore

Në një letër avokuese në drejtim të Kuvendit të Kosovës e mbështetur po ashtu nga një grup organizatash jo qeveritare  bënë thirrje fuqimisht Kuvendit të Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Projektbuxhetit për vitin 2019 me qëllim që të sigurohet financim i qëndrueshëm për strehimoret përmes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, për t’u mundësuar strehimoreve të përmbushin nevojat e të mbijetuarave të dhunës në baza gjinore.

Kjo kërkesë është në pajtim me Strategjinë e Kosovës për mbrojtje nga dhuna në familje dhe planin gjegjës të veprimit 2016-2020, përkatësisht garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së të mbijetuarave të dhunës në familje dhe të trafikimit me njerëz, duke përfshirë këtu fëmijët, dhe është njëherazi obligim kushtetues, përgjegjësi ligjore dhe politike e institucioneve të Kosovës.

Në letër përmendet se vetëm gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, në Policinë e Kosovës janë raportuar 1,129 raste të dhunës në familje, ku 80% syresh janë raportuar nga gratë.

Veç kësaj, që nga fillimi i vitit 2018, Policia e Kosovës ka raportuar shtatë raste të dhunës në familje që kanë rezultuar me fatalitet. Është detyrim i institucioneve që t’i parandalojnë, hetojnë dhe ndëshkojnë të gjitha aktet e dhunës kundër grave dhe fëmijëve, të kryera qoftë në sferën private apo atë publike, si dhe ta parandalojë ripërsëritjen e tyre.

“Strehimoret ofrojnë shërbime themelore të mbrojtjes, rehabilitimit dhe riintegrimit për gra dhe fëmijë në mënyrë që ata të mund t’i ikin mjedisit ku ushtrohet dhuna dhe t’u ofrohet këshillim e kujdes, madje duke shpëtuar shpesh edhe jetën e tyre. Kështu, ndarja e buxhetit të qëndrueshëm për të mbuluar shpenzimet operative të strehimoreve është jo vetëm detyrim moral, por edhe ligjor”, thuhet në letër.

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta ndryshojnë linjën buxhetore Nr.00600 – 1040 për shërbime sociale të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ashtu që buxheti i paraparë për strehimoret në Projektbuxhetin për vitin 2019 të rritet për €450,000 Euro, duke e rritur linjën gjegjëse buxhetore nga 4,500,000 në 4,960,000 gjithsej, në mënyrë që të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave të të mbijetuarave të dhunës në baza gjinore dhe të përmbushen obligimet ligjore dhe të politikave të shtetit.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me vështirësitë e disa strehimore që të rrinë të hapura në mungesë fondesh.

https://kallxo.com/strehimorja-me-7-mije-euro-borxh-per-rryme-keds-e-dergon-te-permbaruesi/

 

Kjo letër avokuese mbështetet nga anëtarët e GSBGJ-së, si në vijim:

 

Organizata ndërkombëtare dhe përfaqësi: Ambasada e SHBA-ve në Kosovë, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/ Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, OSBE, Zyra e Kordinatores për zhvillim e Kombeve të Bashkuara (UNDCO), UN Women, UNDP, UNICEF, UNFPA, UNHCR, UN Habitat, UNOPS dhe UNMIK

 

Institucione të Kosovës: Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ)

 

Organizatat e grave: Rrjeti i Grave të Kosovës, Kvinna till Kvinna, Kosova – Women 4 Women, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Jahjaga Foundation,  INJECT- Nisma për drejtësi dhe barazi,

 

Kjo letër avokuese mbështetet po ashtu nga: KIPRED dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR