Pamje nga mbledhja e Komisionit për Arsim - Foto: KALLXO.com

Kërkohet Raportim i Drejtuesve të Universiteteve dhe Kolegjeve Private

Nga anëtarët e Komisionit u kërkua që të ndryshohet Ligji për Arsimin e Lartë si dhe të inspektohen më shumë universitetet dhe kolegjet në lidhje me punën e tyre.

Anëtarët kërkuan që në këtë Komision për gjendjen në arsimin e lartë të raportojnë të gjithë rektorët e universiteteve publike si dhe drejtuesit e kolegjeve private bashkë me ministrin e Arsimit.

Gjithashtu u kërkuar që për raportim të vijnë edhe ish-ministrat e Arsimit.

“Të vijnë dhe të na tregojnë tash ku po i shohin defektet në arsim, nga perspektiva e tyre”, tha Nait Hasani, kryetar i Komisionit.

Në këtë Komision u kërkua që për arsimin të diskutohet në një seancë të veçantë në Parlament dhe të bëhen ndryshime të menjëhershme në Ligj.

“Pa e ndryshuar Ligjin dhe pa e ndryshuar statusin e universiteteve, na nuk mundemi me kërku që me e ndërru gjendjen e arsimit në Kosovë, sepse ndryshimet nuk vijnë me akte nënligjore si dhe me aktvendime… Ka shumë vërejtje në statusin e universiteteve, sepse ka shumë kritika nga ana e rektorëve dhe e profesorëve”, tha Teuta Haxhiu, deputete nga radhët e AAK-së.

Kurse Ismajl Kurteshi nga Vetëvendosje kritikoi kolegjet private në lidhje me afatet për pushime si dhe me atë për regjistrimin e studentëve.

Ndërsa Shpejtim Bulliqi, deputet i LDK-së, tha se Fakulteti i Edukimit është një fakultet me të cilin vetëm është bërë eksperiment, e i cili ua “jep vulën të gjithë atyre që në të ardhmen do të bëhen arsimtarë”.

“Një arsimtar i shkollës së mesme të lartë të mjekësisë për të punuar si arsimtar duhet të kryhen 5 vite në Farmaci, në Fakultetin  Mjekësisë, ose në mjekësi të përgjithshme, si dhe dy vite master në Edukim, për të mundur të jetë arsimtar në shkollë të mesme.. 7 vite për të mundur të jetë  arsimtar për mua është absurd dhe ne e dimë se Fakulteti i Edukimit ka qenë fakultet bazik për mësues parafillor dhe fillor, por tek ne është bërë eksperiment, nxorën shumë studentë të diplomuar pa pasë asnjë kuadër brenda fakultetit”, tha Bulliqi.