Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Kolegjet private e shoqëria civile komentojnë vendimin që ua ndalon profesorëve të UP-së angazhimin në institucione private

Pak ditë pasi është marrë vendimi sipas të cilit profesorëve të Universitetit të Prishtinës u ndalohet angazhimi në ndonjë kolegj apo institucion privat të arsimit të lartë në Kosovë, kolegjet private dhe ekspertë të arsimit kanë treguar qëndrimin e tyre lidhur me këtë vendim.

Nga Kolegji AAB janë shprehur se nuk e komentojnë këtë vendim pasi atë e konsiderojnë si vendim të brendshëm të një institucioni tjetër të arsimit të lartë.

“Ky vendim nuk ka asnjë efekt në programet e studimit dhe procesin e akreditimit të Kolegjit AAB, ngase AAB ka staf të mjaftueshëm të rregullt në të gjitha programet studimore, në përputhje me rregullativën në fuqi dhe standardet e akreditimit” – thuhet në përgjigjen e Kolegjit për KALLXO.com.

Gjithashtu, nga Kolegji AAB kanë deklaruar se nuk ka asnjë profesor me marrëdhënie të rregullt pune nga Universiteti i Prishtinës dhe asnjëherë asnjë staf akademik i UP-së nuk ka qenë i përfshirë në asnjë proces të akreditimit në këtë Kolegj.

Kurse, nga Kolegji Universum kanë thënë se stafi i tij akademik ka vite që punën në Kolegj e kanë primare dhe me kohë të plotë.

“UNI-Universum International College nuk ka asnjë staf akademik që ligjëron në Universitetin e Prishtinës. Rrjedhimisht, ky vendim nuk dëmton punën dhe procesin e punës në Universum” – janë përgjigjur nga ky Kolegj.

Vendimin e UP-së e konsideron të vonuar por të duhur Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).

Dibran Hoxha nga kjo organizatë ka thënë se ata kanë monitoruar afro 7 vite procese të ndryshme akademike në universitete publike të Kosovës dhe kanë pranuar ankesa të shumta të studentëve për mungesat e profesorëve në ligjërata, konsultime apo provime.

“Kemi monitoruar edhe pjesëmarrjen e profesorëve në këto procese dhe kemi dalë me disa të gjetura që vërtetojnë pretendimin e studentëve për mungesat e profesorëve. Natyrisht, njëra prej shkaqeve kryesore të mungesave të profesorëve ishte fakti se ata ishin të angazhuar në veprimtari të tjera jashtë universitetit, si poste në parti politike, poste të tjera në institucione dhe angazhime profesoriale në kolegje private” – ka thënë Hoxha për KALLXO.com.

Hoxha mendon se ky vendim do ta reduktojë në masë të madhe këtë parregullsi brenda UP-së, ndonëse do duhej që institucioni të prodhonte mekanizma shtesë të monitorimit të këtyre proceseve akademike, “ngase mundësia mbetet e lartë që profesorët t’ia delegojnë këto përgjegjësi të përmendura më lartë asistentëve të tyre”.

Si përfundim, ORCA vlerëson se vendimi si hap i parë i marrë nga Universiteti, në parim do të mundësonte përqendrimin më të madh të kohës dhe energjisë së profesorëve në veprimtaritë brenda universitetit.

Ndërsa, lidhur me angazhimin e këtyre profesorëve në Agjencinë e Kosovës të Akreditimit, Hoxha ka bërë të ditur se vitin e kaluar AKA ka marrë vendim që profesorët bartës të programeve për akreditim do duheshin të zgjidhnin vetëm njërin nga institucionet private apo publike për të qenë bartës të atyre programeve dhe kjo e mënjanon mundësinë e angazhimeve të dyfishta në proces të akreditimit.

Edhe Rinor Qehaja nga Instituti Ed Guard mendon se çdo profesor universitar i angazhuar me orar të plotë duhet të ofrojë përkushtimin dhe angazhimin e plotë për institucionin që deklarohet si i tillë.

“Ndalimi i angazhimit të stafit akademik në kolegje private paraqet një politikë që është shumë normale për çdo institucion të arsimit të lartë, pra të kontribuosh në një institucion tjetër konkurrent deri sa paguhesh nga institucioni tjetër është e pasinqertë” –  është shprehur ai.

Sipas vendimit të marrë të UP-së, profesorët janë të obliguar të përcaktohen deri më 20 shtator se ku do të angazhohen të punojnë, në universitet publik apo kolegj privat.

“Nuk lejohet angazhimi i personelit akademik në kolegje private të arsimit të lartë, përfshirë edhe deklarimin në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, si staf akademik i institucionit privat të arsimit të lartë apo mbështetjen e çfarëdo forme të kolegjit privat të arsimit të lartë, në procesin e akreditimit të programeve dhe atë institucional” – thuhet në vendim.

Ky vendim është marrë më 28 korrik nga Këshilli Drejtues i UP-së.