Qeveria miraton projektligjin për Arsimin e Lartë në Kosovë

Kabineti qeveritar ka marrë vendim për të miratuar Projektligjin për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se ky projektligj është akti themelor juridik dhe se ndryshimi buron nga nevoja për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë në vend.

Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,  Arberie Nagavci.

“Nisma për këtë projektligj daton nga marsi i vitit 2015. Për më pak se një vit kemi arritur të hartojmë draftin e ri dhe ta nxjerrim në publik, janë analizuar me kujdes të gjitha komentet gjatë konsultimit paraprak dhe konsultimit publik”- ka njoftuar Nagavci.

Qëllimi i këtij projektligji është të  përcaktoj parimet, objektivat kryesore dhe organizimin e arsimit të lartë, si dhe rregullat për krijimin, organizimin, funksionimin, mbylljen, financimin, akreditimin dhe licencimin e institucioneve të arsimit të lartë, me qëllim të sigurimit të transparencës, cilësisë dhe zhvillimit të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës, në përputhje me standardet më të mira evropiane dhe ndërkombëtare.