‘Tentim-kapja e arsimit të lartë’, aksioni i ORCA-s para MASHT-it, reagon Driton Vela

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA ka mbajtur sot një aksion protestues para objektit të Ministrisë së Arsimit.

ORCA e ka quajtur këtë aksion si “tentim-kapja e arsimit të lartë”.

Sipas ORCA, ish-kandidati i LVV-së për deputet, Driton Vela, ka tentuar të mashtrojë komisionin pas aplikimit në konkursin e rishpallur nga Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Ata pretendojnë se Driton Vela në CV-në dhe formularin e aplikimit ka tentuar të mashtrojë duke deklaruar se në vitin 2021 ka qenë bartës i programit dhe doktoratës Mjekësi Paraklinike në Universitetin e Prishtinës.

Driton Vela në një përgjigje për KALLXO.com, ka hedhur poshtë këto pretendime të ORCA-s duke thënë se paraprakisht, ka kërkuar dokument zyrtar të Fakultetit të Mjekësisë prej zyrtarit për çështje akademike, para se të aplikoj dhe se në dokumentet e Fakultetit të Mjekësisë figuron si bartës, sipas dokumentacionit zyrtar të këtij fakulteti.

“Kam përdorë dokument zyrtar te fakultetit, nuk kam shpikë asgjë” – tha Vela për KALLXO.com.

Dibran Hoxha nga kjo organizatë, thotë se afërsia e Velës me pushtetin dhe angazhimet që ka në Ministrinë e Shëndetësisë , kanë detyruar që të hulumtojnë për punën e tij shkencore dhe që sipas tij, kjo ka rezultuar se ai ka mashtruar.

“Sot po denoncojmë edhe një tentim kapje tjetër të arsimit të lartë nga eksponentët e pushtetit” – tha ai.

Tutje Hoxha akuzoi Velën edhe për raste të tjera të mashtrimeve si, përfundimi i doktoratës në Shkup, përderisa sipas tyre e ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, pretendimin e tij se ka të hapur një laborator, “Driton Vela’s lab” dhe se po ashtu ka manipuluar me tekstin e tij mësimor “Filozofia e sistemit kardiovaskular”.

Në anën tjetër, ish-kandidati i VV-së për deputet, ka kundërshtuar të gjitha këto akuza ndaj tij duke shtuar se për këto çështje do të hap edhe padi gjyqësore.

“Për atë shpifje unë edhe ORCA shihemi në Gjykatë” – tha Vela për KALLXO.com.

Sipas Velës, këto akuza të ORCA-s po bëhen për shkaqe të konfliktit të interesit.

“Për shkak se kanë konflikte interesi me pjesëtarë të caktum të tërë stafit akademik të cilët janë kandidatë për anëtarë të KSHC-së dhe për shkak se kanë konflikt interesi me menaxhmentin e Fakultetit të Mjekësisë, të cilin ne i kemi ekspozu shkeljet që i kanë ba në Fakultetin e Mjekësisë” – tha Driton Vela për KALLXO.com

KALLXO.com ka tentuar të marr edhe një qëndrim nga MASHT-i lidhur me aksionin e sotëm të ORCA-s, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.