Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti 18.09.2023 Foto: Valon Fana/ KALLXO.com

Kurti publikon shifra për qeverisjen në arsim e aftësim profesional

Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar për të arriturat e qeverisë që ai udhëheq në fushën e arsimit të lartë.

Për Kurtin arsimi dhe aftësimi profesional është njëri nga projektet më të mëdha të transformimit të ekonomisë në Kosovë.

“U ndanë afër 4 mijë bursa për studime brenda dhe jashtë vendit, prej të cilave mbi 2,900 për fushat STEM, duke i dhënë vëmendje të veçantë vajzave që studiojnë këto fusha. Pjesëmarrja e vajzave në studime në fushat STEM në Universitetin e Prishtinë aktualisht është në masën 50%, ndërsa mesatarja e vendeve të BE-së është 17%”- ka shkruar ai.

Kurti ka përmendur edhe rikthimin e Agjenicsë së Akredimit në ENQA.

“Krahas rikthimit në ENQA si anëtare e asociuar, pas përjashtimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim në vitin 2019, morëm statusin e asociuar në programin “Horizon Europe” me të drejta të plota, program ky që e mundëson bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e kërkimit dhe inovacionit. Gjithashtu, pas një dekade rifunksionalizuam Këshillin Kombëtar të Shkencës, që tashmë ka hartuar programin kombëtar të shkencës, i cili është dokumenti bazë për financimin e punës kërkimore shkencore në vend”- vazhdoi ai.

“Me qeverisjen tonë arsimi i lartë publik është bërë falas për të gjithë sepse arsimi është e drejtë e pakushtëzuar. Po bëhet ndërlidhja e arsimit me ekonominë sepse hendeku ndërmjet aftësive profesionale dhe kërkesave të tregut është thelluar për shumë vite me radhë. Buxheti për arsim është rritur sepse investimi në arsim, është investim me kthim të sigurt.  43 mijë studentë ndjekin studimet e tyre në nivelin bachelor dhe master falas. Duke filluar nga ky vit shkollor, arsimi dual është zgjeruar në 12 profile profesionale, nga vetëm katër sosh sa ishin në vitin pararendës, në gjithsej 21 shkolla profesionale dhe 13 komuna gjithandej vendit”- ka përmendur Kurti.