Kërkohet përfshirje më e madhe e grave në ekonomi dhe politikë
Në kuadër të Ditëve të Aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore, “Jahjaga Foundation” ka organizuar tryezën me temën “Pjesëmarrja e grave në qeverisje dhe promovimi i politikave që mbështesin gratë në ekonomi”.
Me këtë rast, Jeta Krasniqi, modratore e kësaj tryeze theksoi rëndësinë e fuqizimit të grave si dhe rëndësinë që kanë tryezat e tilla në bashkëpunim me mediat për promovimin e të drejtave të grave.
E pranishme në këtë tryezë ishte edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila foli për përvojën e saj në politikë si dhe perceptimet që shoqëria jonë I ka karshi grave.
“E kam bindjen por edhe përvojën se 16 ditë nuk duhet kuptuar vetëm për ndaljen e dhunës fizike por edhe dhuna e cila shprehet në forma të tjera. Privimi i grave në mundësi në politike dhe ekonomi mund të kuptohet si dhunë”. tha ajo.
Tutje Kusari-Lila tha se në Kosovë vazhdon të jetë e ulët përfshirja e grave në biznes.
“Në aspektin e futjes si vlerë të përgjithshme kurrë më shumë se tash nuk e kemi kuptuar që barazia të kuptohet si vlerë e shtuar. Ende sot numri i bizneseve të regjistruara nuk e kanë 15% të grave në regjistrin e bizneseve, nominalishtë janë aty me emër por nuk janë aktivisht aty. Nuk ka diskriminim pozitiv për financimin e grave në biznes”, tha ajo.
Në anën tjetër, Dita Dobranja, hulumtuese e lartë në institutin “RIINVEST” ka treguar për potencialin ekonomik që e kanë gratë.
“Kosova nuk është duke e shfrytëzuar potencialin ekonomik që e ka për shkak që nuk është duke i shfrytëzuar gratë dhe fëmijët. Perspektivat në botë tregojnë se gratë kur pavarësohen, është zhvillimi ekonomik, zhvillimi shoqëror ka investim më të madh. Gratë e pavarura financiarisht kanë gjasa që të mos qëndrojnë më rastet kur ka dhunë në familje”, tha ajo.