Mimoza Kusari- Lila, deputete
Kërkohet Hetim Parlamentar për Politizim të Bordeve dhe Pozitave të Larta
Kryetarja e Alternativës, deputetja Mimoza Kusari Lila bashkë me deputetin Dardan Sejdiu kanë mbledhur sot nënshkrime për inicim të një seancës plenare të Kuvendit të Kosovës ku po kërkon të themelohet një komision hetimor që do të merrej me vendimet për emërimin e shërbyesve të lartë civilë në institucione shtetërore.
Para fillimit të seancës së sotme solemne, ku presidenti slloven, Borut Pahor po iu drejtohej deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila po kërkonte mbështetje nga deputetët e opozitës për inicimin e një seance parlamentare.
Me iniciativë të deputetes Mimoza Kusari-Lila dhe Dardan Sejdiu, të mbështetur edhe nga 13 deputetë të tjerë është kërkuar nga kryesia e Kuvendit që të futet si propozim seancës plenare ‘Formimi i Komisionit Hetimor në lidhje me Emërimet e shërbyesve të lartë civil në Administratën Shtetërore’.
Në një bisedë për KALLXO.com, Kusari Lila ka treguar arsyet e mbledhjes së këtyre nënshkrimeve.
“Inicimi për seancë plenare për të themeluar komision hetimor për emërimin e shërbyesve të lartë civilë në pozita shtetërore, kemi vërejtur shkelje të vazhdueshme nga Qeveria e Kosovës, politizim dhe nepotizëm në pozita udhëheqëse, po kërkojmë seancë në mënyrë që të parandalojmë më tutje përshkallëzimin dhe përkeqësimin e strukturës së administratës publike”, tha Kusari- Lila për KALLXO.com.
Ajo thotë që do të kërkohet edhe votimi i një rezolute që do ta obligonte Qeverinë e Kosovës t’i rishikojë të gjitha vendimet që i ka marrë deri tani për emërime dhe të procedojë me to sipas marrëveshjes që tashmë qeveria e ka me Mbretërinë e Bashkuar.
Duke folur për këtë memorandum, Kusari Lila tha se Qeveria e Kosovës nuk po e merr seriozisht dhe nuk po e sheh si obligim ligjor.
“Memorandumi me Mbretërinë e Bashkuar nuk është i mangët, por nuk është duke u marrë seriozisht nga qeveria, po thonë se nuk është obligim ligjor, nëse nuk është atëherë le të dalin publikisht dhe le të tërhiqen nga ajo marrëveshje. Nuk kanë nevojë të mashtrojnë as veten, as opinionin se kinse kanë një memorandum dhe janë të interesuar për shërbyes profesional[, përderisa po e bëjnë të kundërtën”, tha deputetja Kusari- Lila.
Kusari- Lila ka paralajmëruar se Kosova mund t’i humbë 75 milionë euro mbështetje nga Bashkimi Europian nëse vazhdon, siç thotë ajo “trendi i keq i Qeverisë Haradinaj”.
“Kosova rrezikon t’i humbë 75 milionë euro asistencë të drejtpërdrejtë në Buxhetin e Kosovës për reformë të administratës nga BE. Zyrtarë të lartë të BE-së, javë më parë na kanë komunikuar se në rast se vazhdon ky trend që ka fillu shumë keq nga Qeveria Haradinaj, atëherë është çështje ditësh para se këto mjete të tërhiqen dhe të mos i jepen Kosovës për shkak se vërehet një mungesë serioze në këtë proces”, tha tutje Kusari- Lila për KALLXO.com.
Duke folur për komisionin që pretendon që ta krijojnë si Kuvend i Kosovës, ajo thotë se roli i tij do të jetë verifikimi i përgatitjeve profesionale të kandidatëve dhe pastaj rekomandimi.
“Nëse arrijmë ta formojmë komisionin me vendim të Kuvendit do të shikonte të gjitha këto procese, do të verifikonte përgatitjet profesionale të kandidatëve të përzgjedhur dhe natyrisht se do të vinte me rekomandime, shpallje, eventualisht anulime të konkurseve të cilat vetëm janë përmbyllur, ose kanë njerëz të zgjedhur politikisht”, tha në mes tjerash Kusari- Lila.
E nëse Kuvendi nuk arrin të formojë komisionin e iniciuar nga Kusari Lila, kjo e fundit thotë se do të kërkojnë interpelancë për këtë çështje.
Iniciativa është mbështetur nga disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të LDK-së. Dardan Sejdiu nga Lëvizja Vetëvendosje e ka publikuar arsyetimin e kësaj iniciative së bashku me emrat e 13 deputetëve që deri më tani e kanë përkrahur këtë iniciativë.
“Përfundimisht, duhet shpërfaqur që mangësitë e mëdha në këto emërime dhe mungesa e vullnetit për reformë në administratën publike siç edhe vlerësohet nga BE-ja mund t’i kushtojë Kosovës humbjen e ndihmës direkte buxhetore në shumë prej EUR 75 milionë shtetit tonë”, ka shkruar Dardan Sejdiu në profilin e tij në facebook.
Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar për emërimet e paligjshme që Qeveria e Kosovës i ka bërë në bordet publike, tek ai i KEK-ut dhe Ibër-Lepencit.
Para disa ditësh, Qeveria e Kosovës e ka emëruar sekretarin në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, vendim që ka ngjallur reagime nga organizatat joqeveritare, të cilat e kanë konsideruar si të paligjshëm dhe politik.