Jo të gjitha komunat në Kosovë i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për grevë

Jo të gjitha komunat në Kosovë i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) për grevë të përgjithshme e cila ka filluar nga sot.

BSPK njoftoi para një jave se 25 gushti do të jetë dita kur do të fillojë greva e përgjithshme me arsyetimin se Qeveria e Kosovës nuk i ka përfillur ftesat e sindikalistëve për dialog lidhur me kërkesat e tyre për rritje të pagës për 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, plotësim- ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh më 2014.

Ftesës për grevë i janë përgjigjur shumë institucione.

Por, KALLXO.com ka mësuar se në disa komuna nuk është mbajtur grevë.

Driton Siqeca, zyrtar për informim në Komunën e Prizrenit, e ka konfirmuar për KALLXO.com se në Komunën e Prizrenit nuk ka pasur grevë.

“Faktikisht pasi ne si Sindikatë e shërbimit civil të Kosovës nuk jemi ftuar për të dhënë mendim tonin për kërkesat që i kemi dhe njëkohësisht as nuk jemi ftuar kur është marrë vendim për futjen në grevë, nuk kemi themeluar ndonjë këshill grevist” – ka shpjeguar Siqeca.

KALLXO.com ka provuar të marrë informata se a janë mbajtur greva në shkollat në Prizren edhe nga Luljeta Veselaj – Gutaj, drejtoreshë e Arsimit në këtë Komunë, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Grevë nuk është mbajtur as në Komunën e Gjilanit.

“Në Gjilan jemi në rregull, atje shërbimet ofrohen për qytetarët, Drejtoria e Administratës është në orar të punës, zyrtarët janë në vendin e punës, nuk ka grevë në Gjilan. Kemi komunikim gjatë ditës me të gjitha drejtoritë dhe nuk kemi informacion që në kuadër të një drejtorie ka zyrtarë që nuk kanë marrë pjesë në grevë sot ose ka grup të organizuar për grevë” – ka qenë përgjigja që e ka dhënë për KALLXO.com Arbenita Sopi, zëdhënëse në Komunën e Gjilanit.

Ani pse në administratën e Komunës së Podujevës nuk pati grevë, e njëjta gjë, sipas zyrtarit të kësaj Komune nuk ndodhi edhe në çerdhet publike.

“Në administratë nuk është duke u mbajtur grevë, por është duke u mbajtur grevë vetëm në çerdhe publike” – ka treguar zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

Ndryshe nga këto tri komuna, në kryeqytet shërbyesit civilë iu përgjigjën pozitivisht thirrjes për greva.

“Sot shërbyesit civilë në komunën e Prishtinës kanë qenë në grevë” – ka qenë përgjigjja nga Zyra për komunikim në Komunën e Prishtinës.

Nga kjo Komunë kanë përmendur se pavarësisht që punëtorët në sportele kanë qenë në grevë, qytetarët kanë pasur mundësi që disa shërbime t’i kryejnë përmes E-kioskave.

“Në E-kioskën që ka funksionuar tërë ditën sot sigurimi ka asistur në ruajtjen e rendit dhe i ka asistuar qytetarët që të pajisen me dokumente të cilat mund të parashihen se dikush mund t’i ketë për çështje emergjente” – kanë thënë nga kjo Zyrë.

Edhe nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë gjatë paradites e kanë konfirmuar se mësimdhënësit e kanë filluar grevën.

“Po, në të gjitha shkollat ka filluar greva edhe në qerdhet publike. Veçse jemi duke i thirrur nëpër shkolla, janë shumë, janë 64 institucione, ende nuk i kemi përfunduar të gjitha, por deri tani 40 e diçka i kemi thirrur dhe deri tani të gjithë janë në grevë” – ka thënë e para e kësaj Drejtorie, Besianë Musmurati

Ndërkaq, Selman Sahiti, kryetar i Këshillit grevist në Gjakovë ka thënë se në këtë Komunë është mbajtur grevë në administratë, duke u bërë përjashtim vetëm për rastet urgjente.

“Punëtorët, shërbyesit civilë iu kanë përgjigjur thirrjes për grevë, ka ecur shumë mirë pa pasur ndonjë telash, çdo gjë është në rregull sipas parashikimeve ka shkuar greva” – ka thënë Sahiti për KALLXO.com.

“Për urgjenca është e rregulluar ajo çështje, nuk do të ndëshkohet asnjë qytetar nëse ka urgjencë” – ka vijuar ai.

Konfirmimin e njëjtë e kanë dhënë edhe nga DKA në Gjakovë.

“Greva ka filluar, nuk kemi ndonjë informacion që e kanë bojkotuar perveç disa individëve të cilët nuk janë anëtarë të sindikatës. Greva po shkon sipas planit të tyre, nuk ka deri tani ndonjë rast që është për t’u veçuar” – ka thënë e para e kësaj Drejtorie, Eranda Kumnova Baçi.

Grevë u mbajt edhe në Komunën e Ferizajt.

Kimete Hajdini, kryetare e Sindikatës së shërbimit civil në Ferizaj tha se prej orës 8:00 deri në ora 16:00 gjithçka ka shkuar në rregull. “Nuk kemi pasur asnjë problem me palët” – është shprehur Hajdini duke pohuar se përjashtime ka pasur për disa raste emergjente.

“Te certifikatat e lindjes kemi pasur dy raste që kanë pasur të udhëtojnë, edhe një kurorëzim edhe te tatimi në pronë dy raste, edhe në xheodezi e kadastër i kemi pasur 3 raste” – tha ajo.

Se greva është mbajtur edhe në Komunën e Mitrovicës e kanë konfirmuar për KALLXO.com edhe Mehmet Bajrami, kryetar i Shoqatës së të punësuarve në komunën e Mitrovicës dhe Drita Kadriu nga Drejtoria e Arsimit në Mitrovicë.

Edhe nga Komuna e Kamenicës dhe nga Drejtoria për Arsim në këtë Komunë e kanë konfirmuar se sot është mbajtur greva.

Po ashtu, edhe nga drejtori i Arsimit në Komunën e Shtimes e ka konfirmuar për KALLXO.com se sot janë mbajtur greva në institucionet arsimore të kësaj komune prej çerdheve e deri në arsimin e mesëm të lartë.

Gjatë ditës së sotme Këshilli Grevist i Bashkësisë së Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka vizituar grevistët në Administratën e Komunës së Prishtinës.

Ahmet Gashi, kryetar i Shoqatës sindikale të komunës së Prishtinës para mediave deklaroi se shumica e shërbyesve civilë i janë përgjigjur kërkesës për grevë.

“Edhe ne jemi në grevë si pjesë e sindikatave në nivel qendror, jemi duke e respektuar vendimin për grevë. Greva po  shkon mirë dhe mbarë. Shumica e shërbyese civil janë përgjigjur, greva po vazhdon” – ka  thënë Gashi.

Nga ana tjetër, sot Ministria e Financave ka paralajmëruar pezullimin e kontratave të të gjithë grevistëve.

Enis Spahiu, zëvendës-sekretar në këtë Ministri, ka konfirmuar për KALLXO.com se paga e secilit grevist do të pezullohet për aq kohë sa qëndron në grevë e që rrjedhimisht ata nuk janë të detyruar të dalin në punë për aq kohë sa duan të qëndrojnë në grevë.

Reagime për këtë pati nga BSPK të cilët këtë paralajmërim e quajtën akt të paligjshëm dhe aspak të mirë.

Kurse, kreu i kësaj sindikate, Atdhe Hykolli përmes një komunikate për media potencoi se janë në grevë pa dëshirën e tyre por të detyruar nga mospërmbushja e premtimeve.

“Partneri ynë social – Qeveria po kërcënon grevistët dhe kjo është antiligjore se shkelet ligji për grevat, LIGJI Nr. 03/L-200, Neni 11, 13 dhe 18, e mbi të gjitha kjo nuk është aspak e mirë… Të kërcënosh grevistët e qetë dhe në të drejtën e tyre është shkelje e normës dhe parimeve të shtetit demokratik e juridik dhe mbi të gjitha marrje e së drejtës për grevë – me fjalë të tjera është gabim shumë i madh” – potencoi Hykolli.