Pamje - Qytetari incizon hapësirën e Komunës së Fushë Kosovës pa staf, Komuna e mohon

Një qytetar i Komunës së Fushë Kosovës, gjatë ditës së sotme ka realizuar një incizim, në të cilin shihet se nuk është askush në objektin e Komunës së Fushë Kosovës.

Qytetari në videon e dërguar në KALLXO.com tregon se në ora 11:42 nuk ka qenë askush brenda një pjese të këtij objekti.

“Komuna e Fushë Kosovës 11:42 nuk është askush. A ka njerëz që punojnë këtu”, dëgjohet zëri i qytetarit.

Mirëpo, Komuna e Fushë Kosovës e mohon pretendimin e qytetarit se nuk ka qenë askush në ambientet e Komunës.

Zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës Ali Topalli ka thënë për KALLXO.com se pikërisht në këtë kohë ka qenë në zyre dhe jashtë zyrës nëpër komunë dhe sipas tij të gjitha shërbimet për qytetarë kanë qenë duke punuar.

“Ajo pjesë ku qytetari ka bo video aty janë shërbimet e inspeksionit të cilët zakonisht janë në teren përveç drejtorit. Drejtori ka qenë në zyre, ato zyre janë të shërbimit të inspektoratit. Përndryshe në hyrje të komunës në anën e djathtë dhe në anën e majtë janë zyrat për shërbim të qytetarëve”, tha Topalli.

Topalli ka njoftuar se qytetari ka pas mundësi që të marr shërbim në të dy anët në hyrje të komunës.

“Ai ka hyrë brenda hapësirave në zyre të komunës ku është drejtoria e inspektoratit të cilët kanë qenë në terren”, përfundoi Topalli.