Sherbime ne sportele

Komuna e Prishtinës centralizon shërbimet në objektin e ri në lagjen 'Arbëria'

Komuna e Prishtinës ka bërë disa ndryshime në shërbimet administrative për qytetarë, duke centralizar shërbimet në objektin e ri të Komunës në lagjen ‘Arbëria’.

Në objektin e ri të Komunës janë hapur 20 sportele të reja, për të shmangur tollovinë dhe rendin e pritjes.

Drejtori i Administratës në Komunë Bersant Beka për KALLXO.com ka bërë të ditur se nga objekti i vjetër i Komunës janë bartur në objektin e ri sportelet e sektorit të Tatimit në Pronë.

” Nga objekti i vjetër i Komunës së Prishtinës në objektin e ri janë bartur sportelet e sektorit të Tatimit në Pronë” – ka thënë Beka.

Në objektin e ri deri tani janë kryer kryesisht shërbimet e drejtorisë së Kadastrit.

Sipas një njoftimi të drejtorisë së Kadastrit, qytetarët tani do të aplikojnë në mëngjes dhe aty për aty do të pajisen me çertifikatë të pronës e kopje të planit, pa pasur nevojë të presin deri në mesditë që të vijnë dy herë për çështjen e njëjtë.

“Nga e premtja që shkoi çertifikata e pronës dhe kopja e planit vulosen aty për aty, pa pas nevojë që qytetari të aplikoj në mëngjes apo gjatë ditës dhe të vijë në ora 15:00 sërish për t’u pajisur me këto dokumente. Nuk ka më dy procedura, në dy kohë të ndryshme, për të njëjtën çështje,” – thuhet në njoftim.

Nga Drejtoria e Kadastrit u potencua se ky projekt është realizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Administratës dhe Drejtorinë e Financave.

Derisa, në objektin e vjetër të Komunës kanë mbetur shërbime në sportele si: Sektori për shërbim me qytetarë dhe Gjendja civile.