Foto: Ilustrim

Këmbësori Vdes Pasi Goditet nga Makina

Një këmbësor i moshës 52 vjeçare vdiq në Fshatin Osek Hylë të Gjakovës, pasi u godit nga një makinë, shoferi i së cilës iku nga vendi i aksidentit.

“Me datën 02. 12. 2016 në ora 02;30 minuta kemi pranuar një telefonatë se buzë rrugës rajonale Gjakovë-Pejë në fshatin Osek Hylë gjendet një person i shtrirë në tokë. Patrullat policore menjëherë kanë dalë në vendngjarje dhe kanë gjetur një person të shtrirë skaj rrugës ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se kishte vdekur,” thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra për Informim e Policisë në Gjakovë.

Policia njoftoi se i vdekuri është personi me inicialet A. H. G lindur me 05. 03. 1964 nga komuna e Gjakovës.

Në komunikatën e policisë thuhet se i dyshuari për shkaktimin e aksidentit u largua nga vendi ku ai ndodhi.

“Menjëherë është dyshuar se kemi te bëjmë me aksident trafiku dhe viktima ishte në cilësinë e këmbësorit i cili është goditur nga një automjet udhëtarësh që pas goditjes kishte ikur nga vendi i ngjarjes,” sqaron komunikata.

Policia në komunikatë tregon se arrestoi të dyshuarin e aksidentit.

“Hetuesit e trafikut rajonal të DRP Gjakovë pas një pune operativo-hetimore kanë arritur që të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin L. M. M., lindur me 22, 06. 1992 nga komuna e Deçanit,” thuhet në komunikatë.

Njëkohësisht është sekuestruar edhe automjeti me të cilin është shkaktuar aksidenti. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari po mbahet në ndalim policor, ndërsa viktima është dërguar për autopsi.