Kuvendi i Kosovës, FOTO: KALLXO.com

KDI tregon mangësitë e Kuvendit të Kosovës në 2018-n

Kuvendi i Kosovës ndonëse ka përmirësuar parametrat e përmbushjes së agjendës legjislative, mungesa e kuorumit, mbikëqyrja shumë e ulët e zbatimit të ligjeve, regresi në transparencën financiare, numri i ulët i dëgjimeve publike, dhe organizimi jo i mirëfilltë i punës, janë disa nga mangësitë evidente që kanë përcjellë punën e tij gjatë vitit të kaluar.

Këto të gjetura u bënë të ditura sot, gjatë prezantimit të raportit të monitorimit të punës së Kuvendit për 2018, të publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Në diskutim morën pjesë edhe deputetët Armend Zemaj (LDK), Elmi Reçica (PDK), Albulena Haxhiu (LVV), Besa Baftiu (PSD), Bilall Sherifi (NISMA) si dhe përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile.

Ndërkaq, Agnesa Haxhiu nga KDI, ka bërë të ditur se 42 seanca të Kuvendit dhe 437 mbledhje të komisioneve parlamentare i kanë mundësuar organit më të lartë ligjvënës, që për herë të parë në shumë vite të shihet si më produktiv në përmbushjen e agjendës legjislative, nga 36% sa ishte në vitin 2015/2016 në 42% në 2018.

Sidoqoftë, sipas saj, 75 ligjet e miratuara dhe 16 nisma ligjore nga vetë Kuvendi nuk kanë mundur t’i kamuflojnë problemet bazike me të cilat është përballur ky institucion.

“Mungesa e kuorumit ka qenë pengesë serioze në marrjen e vendimeve në seanca. Kështu shumë pika të papërfunduara të rendit të ditës nga seanca të ndryshme janë grumbulluar dhe vendosur në agjendën e një seance të vetme, fenomen ky që është përsëritur vazhdimisht përgjatë vitit”, ka shpjeguar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se miratimi i ligjeve është përcjellë shpeshherë me shkelje të Rregullores së Punës së Kuvendit.

“Edhe pse Rregullorja përcakton se amendamentet votohen si të veçanta, në raste të shpeshta ato janë votuar në grup, siç është rasti me Ligjin për Shoqëritë Tregtare. Po ashtu, Kuvendi edhe këtë vit ka vazhduar me praktikën e shqyrtimit të projektligjeve në procedurë të përshpejtuar”, ka theksuar  Haxhiu.

Raporti i KDI-së, rekomandon që Kuvendi duhet të angazhohet me shumë seriozitet në monitorimin e zbatimit të ligjeve dhe mbikëqyrjen sistematike të qeverisë dhe gjithashtu  të jetë shembull për të gjitha institucionet tjera sa i përket transparencës financiare.

“Edhe çështja e mungesave të deputetëve do të duhej të rregullohej përmes Rregullores së re të Kuvendit, e cila nuk parasheh ndonjë masë ndëshkuese për deputetët të cilët nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit, dhe u ofron mundësinë e mospjesëmarrjes në punë për gjashtë muaj me radhë”, rekomandon raporti në fjalë.

Rregullorja e re e Punës së Kuvendit, peng e ‘inateve politike’

.