KDI: Liderët e Luftojnë Korrupsionin me Fjalë

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Transparency International Kosova (TI) në një punim rreth korrupsionit të publikuar sot konstatuan se niveli i korrupsionit është i lartë, ai nuk po luftohet në mënyrë serioze, ka mungesë të zbatimit të ligjit ndaj kësaj dukurie, mbivendosje të institucioneve dhe sistem të dobët të drejtësisë.

“Kjo analizë e politikave paraqet pasqyrën e paaftësisë institucionale për të luftuar korrupsionin, alternativat politike për t’u ballafaquar me të dhe disa konkluzione mbi opsionin më të mirë. Ky dokument përvijon arsyeshmërinë e përzgjedhjes së një opsioni të veçantë të politikave, ose një veprim të caktuar për të luftuar korrupsionin në mënyrë më efikase,” tha Visar Sutaj nga KDI-ja.

Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, tha se angazhimi i liderëve politikë e institucionalë është vetëm deklarativ si një distancim nga korrupsioni, mirëpo veprimet e tyre praktike nuk po demonstrojnë përkushtim dhe përballje të guximshme me luftën kundër korrupsionit.

Kryeziu tha se liderët politikë dhe zyrtarët publikë janë kryesit më të mëdhenj të veprave korruptive.

“Të gjithë të gjeturat, hulumtimet dhe matjet e opinionit publik, liderët politikë dhe zyrtarët publikë i radhiten si kryesit kryesorë të veprave të korrupsionit dhe krimeve tjera ekonomike. Për më tepër raporti i fundit nga Departamenti Amerikan i Shtetit citon se korrupsioni është endemik në qeveri dhe në sektorin privat, si dhe mungesa e ndëshkimit për vepra korruptive është një nga problemet më serioze të të drejtave të njeriut në vend gjatë vitit 2015,” tha Kryeziu.

Albulena Haxhiu, deputete në Kuvendin e Kosovës nga LVV-ja tregoi se korrupsioni i ka lëshuar rrënjët dhe ka një shtrirje gjithandej në institucione dhe se nuk ka qasje serioze të institucioneve dhe Qeverisë karshi kësaj problematike.

“Unë mendoj se pakoja ligjore që trajton çështjen e korrupsionit është e pakompletuar. Unë përkrah opsionin e krijimit të një departamenti të veçantë brenda Prokurorisë së Shtetit  i cili do të merret vetëm me rastet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe se ky departament të fuqizohet edhe me buxhet të mjaftueshëm dhe se mekanizmat tjerë duhet të zhbëhen,” tha Haxhiu.

Ndërsa, Sokol Havolli nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës tha se në kuadër të përballjes me korrupsionin qeveria ka ndërmarrë veprime konkrete.

“Çështja e luftimit të korrupsionit nuk duhet mbetur peng i vullnetit politik, kjo duhet shtyrë nga prokuroria e cila edhe e ka këtë mandat. Vullneti nuk duhet të përzihet në shtylla të pavarura siç është drejtësia. Ne jemi në përkrahje të opsionit të një prokurorie të fortë,” tha Havolli.

Në fund, KDI-ja u bëri thirrje politikëbërësve që të thjeshtojnë mekanizmat në luftë kundër korrupsionit duke zbërthyer përgjegjësitë e të gjitha institucioneve kundër korrupsionit në Zyrën e Prokurorit të Shtetit që ka kompetencat ligjore për të hetuar dhe akuzuar zyrtarët e dyshuar për korrupsion, në bashkëpunim me institucionet për zbatimin e ligjit duke përfshirë policinë.