Karaxhiq në sallën e gjyqit. Foto: ICTY.
Karaxhiqi Kundërshton Apelin e Prokurorisë për Dënim më të Ashpër
Ish-lideri politik serb i Bosnjës Radovan Karaxhiq paraqiti një mocion në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë të enjten, duke i kërkuar Gjykatës së OKB-së për krimet e luftës të rrëzojë apelin e Prokurorisë.
Karaxhiq tha se edhe pse kishte pasur “gabime të rëndësishme” në vendimin e shkallës së parë të vitit të kaluar, Gjykata nuk duhet ta ndryshojë pjesën e vendimit që liroi atë nga akuzat për gjenocid në shtatë komuna në vitin 1992.
Gjykata e Hagës e dënoi Karaxhiqin me 40 vjet burg në mars të vitit të kaluar, duke e shpallur atë fajtor për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995, persekutimi i boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.
Si Prokuroria dhe ashtu edhe Karaxhiqi e apeluan vendimin.
Në përgjigjen e tij ndaj apelit të prokurorëve, Karaxhiq theksoi se gjenocidi në komunat në vitin 1992 nuk ishte vërtetuar gjatë gjykimit.
Vendimi thoshte se edhe pse kushtet në kampet e burgimit serbe të Bosnjës në komuna në vitin 1992 ishin të tmerrshme, Gjykata nuk mundi të arrinte në përfundimin se kampet ishin ngritur me qëllim “shkatërrimin e myslimanëve boshnjakë si një grup”.
Karaxhiq tha në apelin e tij se edhe pse kushtet në kampet e burgimit në Sushica, Omarska, Keraterm, Trnopolje dhe Karakaj, si edhe në kampe të tjera të ngritura nga serbët e Bosnjës në Foça, ishin të këqija për individët atje, ato nuk ishin shkatërruese për boshnjakët si një grup etnik.
“Duke pasur parasysh se shumë pak njerëz vdiqën për shkak të kushteve të këqija në këtë rast, nuk mund të thuhet se kushtet në kampet e burgimit ishin krijuar për të siguruar zhdukjen e myslimanëve të Bosnjës”, tha Karaxhiq.
Ai këmbënguli gjithashtu se Gjykata kishte vendosur se “aktet e rivendosjes së njerëzve, madje edhe në rastin e zhvendosjes me forcë, nuk ishin të barabarta me akte gjenocidale, duke pasur parasysh faktin se ato nuk rezultojnë në shkatërrimin e një grupi njerëzish”.
Seancat dëgjimore për të dy rastet e apelit ndaj vendimit do të caktohen në një datë të mëvonshme.