Akademia për Ahmet Krasniqin | Foto: Zyra e Kryeministrit

Jurkoviq: Ahmet Krasniqi Na Ndihmoi

Në 18 vjetorin e vrasjes së Ahmet Krasniqit, ish-ministrit të Mbrojtjes në kohën e sistemit paralel kosovar në akademi përkujtimore mori pjesë edhe ushtaraku dhe mjeku kroat Drazhen Jurkoviq.

Jurkoviq duke folur në akademi kujtoi kontaktet dhe miqësinë e tij me Krasniqin, duke thënë se koloneli kosovar ua mundësoi forcave kroate armatosjen nga kazerma në këtë qytet gjatë luftës që nisi në vitin 1991.

Jurkoviq tha se pa ndihmën e Krasniqit forcat kroate nuk do të mund të luftonin aq suksesshëm në Gospiq.

Në akademi foli edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe zëdhënësi i qeverisë Arban Abrashi.

“Goditja tinëzare mbi kolonelin mbetet një re e zezë mbi qiellin shqiptar,” tha Abrashi, duke shtuar se Ahmet Krasniqi gjatë gjithë jetës së tij vuri Kosovën para interesave tjera.

Ahmet Krasniqi u vra në Tiranë më 21 shtator 1998.

Kolonelin Krasniqi gjatë akademisë, ushtaraku Rrustem Berisha e quajti një njeri që “me tërë qenien e tij u angazhua të bëjë një organizim sa më të mirë që unifikojë faktorin politik dhe ushtarak në atë kohë”.

Berisha kërkoi që trupi i Krasniqit të varroset në Kosovë më së largu deri në 20 vjetorin e vrasjes së tij.