Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Jepet Fjala Përfundimtare në Gjyqin e Vrasjes për Hakmarrje

Në këtë rast po gjykohen Shefki Zogjani dhe djali i tij Hasim Zogjani, i cili, në ditën kritike, më 5 korrik 2006, ishte i mitur. Ndërsa, dorasi i dyshuar, nipi i Shefkiut, Korab Zogjani, është në arrati.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Shefki Zogjani kishte ndikuar tek i akuzuari Korab që të merrte vendim për hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij, Kastriotit, i vrarë nga Avni Osmani, djali i axhës së viktimës Bekim Osmani.

Më 5.7.2006, në bazë të aktakuzës, i akuzuari Shefki Zogiani i ka dhënë makinën djalit të tij të mitur, Hasim Zogiani, dhe të akuzuarit Korab Zogjani, i cili kishte qenë i armatosur me revole.

Gjatë rrugës për tek udhëkryqi Sllatinë e Madhe-Harilaq, ka vozitur i mituri Hasim, kështu duke e ndihmuar të akuzuarin Korab Zogjani.

Me të arritur tek makina e Bekim Osmanit, i akuzuari Korab ka dalë nga vetura dhe me revole ka shtënë disa herë në drejtim të tij, me ç’rast Bekimi ka mbetur i vdekur në vend.

Më pas, rrugës për në Pejë, nga makina i akuzuari Korab ka shtënë disa herë në ajër, në shenjë të realizimit të hakmarrjes.

Me këtë, i akuzuari Shefki Zogjani ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në shtytje, kurse i mituri Hasim Zogjani ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në ndihmë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Shefki Zogjani ka konsideruar se të ndjerin Kastriot, vëllain e të akuzuarit Korab, e ka privuar nga jeta djali i axhës së tani të ndjerit Bekim Osmani, Avni Osmani. Kjo për arsye se i akuzuari Shefki Zogjani kishte qenë ndërmjetësues në mes të të ndjerit Kastriot Zogjani dhe djalit të axhës së të ndjerit Bekim, Avni Osmanit, për punësimin e Kastriotit në Aeroportin e Prishtinës.

Për punësimin e Kastriot Zogjanit në Aeroport të Prishtinës i akuzuari Shefki Zogjani kishte marrë 2,500 euro, ndërkaq pas vrasjes së Kastriotit, në bazë të aktakuzës, të akuzuarin Shefki e ka brerë ndërgjegjja për çka edhe ka filluar ta kërcënojë familjen Osmani.

Prandaj, ai kishte ndikuar tek i akuzuari Korab që të merrte vendim për hakmarrje për vëllain e tij.

Në seancën e fundit, prokurori Feti Tunuzliu i kërkoi të akuzuarit Shefki Zogjani ta paraqesë mbrojtjen e tij.

“Është dënim i montuar dhe që 10 vite merrem me gjykata. E keni marrë një vendim të padrejtë”, u përgjigj i akuzuari Shefki Zogjani.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast gjyqësor.

Rikthehet Gjykimi për Vrasjet e Fushë-Kosovës

Redaktoi: Naser Sertolli