Rikthehet Gjykimi për Vrasjet e Fushë-Kosovës

Sipas një vendimi të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, të 30 nëntorit 2009, Avni Osmani, i lindur më 1983 në Sllatinë të Madhe, pas një mbrëmje të kaluar në vendin e quajtur “Te Kalaja” në Fushë-Kosovë, më 28 tetor të vitit 2004, në mënyrë misterioze dhe dinake e me qëllim të fshehjes së veprës penale të mashtrimit me një revolver ka privuar nga jeta Kastriot Zogianin, 20 vjeçar, nga fshati Harilaq.

Avni Osmani kishte shtënë 12 herë në trupin e viktimës. Prej tyre 10 ishin goditje me armë ndërsa 2 ishin me armë zjarri. Shënjestra ishte pjesa e pasme e viktimës, e plagët e shkaktuara i shkaktuan edhe vdekjen të ndjerit.

Për ndihmë të Avni Osmanit ngarkohej edhe Fitim Breznica i cili kishte ndihmuar Avniun për kryerjen e veprës penale. Fitimi, sipas aktgjykimit të atëhershëm, ka ndihmuar për të shmangur zbulimin e veprës penale duke fshehur trupin e pajetë të Kastriot Zogianit në një vrimë të mbushur me ujë dhe të mbuluar me qese plastike.

Po ashtu, i njëjti e ka hedhur armën e krimit në lumin Drenica.

Për këtë vepër Avni Osmani u dënua me 30 vjet burg ndërsa Faton Breznica me 4 vjet e 7 muaj burg.

Gati dy vjet më vonë, familja Zogiani hakmerret duke vrarë Bekim Osmanin nga familja Osmani e Sllatinës së Madhe.

Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, të cilën e përfaqësonte Feti Tunuzliu, në rigjykimin që filloi të hënën në Gjykatën e Qarkut, e ngarkon Shefki Zogianin për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë me motive të hakmarrjes së paskrupullt.

Shefki Zogiani akuzohet se me dashje kishte shtyrë Korab Zogianin, i arratisur dhe në kërkim nga policia, në vrasjen e Bekim Osmanit nga hakmarrja e paskrupullt.

Shefki Zogiani kishte qenë ndërmjetësues në mes të Avni Osmanit dhe të ndjerit Kastriot Zogiani për punësimin e këtij të fundit në Aeroportin e Prishtinës, para tetorit 2004. Sipas aktakuzës Avni Osmani, kishte marrë nga Kastrioti shumën prej 2500 eurosh për të kryer punën.

Aty thuhet se më 5 korrik të vitit 2006, i pandehuri Shefki Zogiani i kishte dhënë makinën e tij Korab Zogianit e së bashku me të kishte shkuar edhe i biri i Shefkiut i mituri H.Z., dhe kishin shkuar për ta vrarë Bekim Osmanin.

Atë ditë korriku, Bekim Osmani ishte duke qëndruar në veturën e tij para shtëpisë së vetë, kur Korab Zogiani shtien pesë herë në kraharorin e Bekimit, duke e lënë këtë të vdekur në vend.

I pandehuri Korab së bashku me të miturin H.Z. me një shpejtësi të madhe largohen nga vendi i ngjarjes në drejtim të Pejës. Rrugës i pandehuri Korab shtie edhe disa herë në ajër.

H. Z. (i mitur në kohën e kryerjes së veprës penale) akuzohet për veprën penale të ndihmës në vrasje të rëndë me motive të hakmarrjes së paskrupullt.

Trupi gjykues, në krye me gjykatësin Mehdi Dehari, të dy të pandehurit Zogiani i shpall fajtorë dhe Shefki Zogianin e dënon me burgim prej 10 vjetësh ndërsa H.Z. me dënim prej 2 vitesh.

Por pas ankesave, Gjykata Supreme e Kosovës e kthen çështjen në rigjykim. Për ta rigjykuar lëndën e merr përsëri gjykatësi Dehari, si kryetar i trupit gjykues.

Palët megjithatë kishin kërkuar nga gjykata që të ndryshohet trupi gjykues.

Gjykata e miraton kërkesën e të pandehurve dhe për rigjykim si trup gjykues cakton një tjetër.

Në seancat në vazhdim do të dëgjohen dëshmitarët e prokurorisë dhe të mbrojtjes. Ndërsa në seancën e sotme si dëshmitarë u dëgjuan të dëmtuarit Bajram e Hamide Osmani. Seanca e radhës në këtë çështje do të mbahet të martën nga ora 13.