Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Japin Mbrojtjen të Akuzuarit për Banderolat e Ilaçeve

Të akuzuar për shpërdorim detyre, Bersan Kolgeci dhe Ilir Dushi kanë dhënë mbrojtjen e tyre në gjykimin për banderolat e ilaçeve.

Kolgeci, ish-drejtor i Departamentit Ligjor në Agjencisë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), e përfundoi mbrojtjen e tij të nisur në seancën e kaluar. Ai e kundërshtoi aktakuzën.

Më tej, mbrojtjen e ka dhënë edhe Ilir Dushi, ish-kryeshefi ekzekutiv i AKPPM-së.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij, Nikë Shala, i akuzuari Dushi para trupit gjykues tha se mbetet pjesërisht pranë deklaratave të tij në Polici dhe Prokurori për arsye se nuk i është dhënë mundësia t’i sqarojë përgjigjet e tij pranë këtyre dy institucioneve.

“Unë qëndroj pjesërisht pranë deklaratave në Polici dhe Prokurori, për arsye se pyetjet ishin të përgjithësuara dhe nuk përkonin me atë që është diskutuar dhe nuk më është dhënë mundësia t’i sqaroj dhe kërkesa ka qenë të përgjigjem me po ose jo”, tha Ilir Dushi.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, se a ka bërë vërejtje për pyetjet që tha se i janë parashtruar, Dushi u përgjigj: “Po, kam bërë”.

I akuzuari vazhdoi me vërejtjet e tij për marrjen në pyetje nga Policia pasi që, sipas tij, ai është marrë në pyetje pa prezencën e avokatit dhe Policia kishte harruar ta njoftonte atë se ka të drejtë të ketë avokat.

“Në Polici jam marrë në pyetje pa prezencën e avokatit. Policia në fund më kanë thënë se kemi harruar me të njoftuar se ke pasë të drejtë me pasë avokat”, tha ai.

Më tej, i pandehuri Ilir Dushi mbrojtjen e vazhdoi duke thënë se ai ishte emëruar në pozitën e kryeshefit të AKPPM-së në vitin 2012, ndërsa pasi që ishte pezulluar nga kjo pozitë ai nuk kishte pranuar asnjë vendim për pezullim.

Dushi para trupit gjykues tha se rekomandimi i lëshuar nga Bersan Kolgeci ka pasur bazë ligjore.

“Rekomandimi i lëshuar nga Bersan Kolgeci ka pasur bazë ligjore. Unë mendoj ashtu”, tha Dushi.

Bersan Kolgeci, Ilir Dushi dhe Haki Ejupi nga Prokuroria akuzohen se si persona zyrtarë të AKPPM-së lëshuan 435.124 banderola të barnave për kompaninë “Prima Pharm”, drejtor i së cilës është i akuzuari tjetër Edon Hajrullaga.

Kolgeci, Dushi e Ejupi akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa Edon Hajrullaga për prodhim të ndaluar.

Sipas Prokurorisë, Kolgeci, që ishte drejtor i Departamentit Ligjor në AKPPM, i kishte rekomanduar drejtorit të Administratës së kësaj Agjencie që t’i lëshonte banderola për 18 produkte medicinale kompanisë “Prima Pharm”, duke i mundësuar asaj që t’i nxjerrë në treg barnat e importuara nga Kina më 23 mars 2013.

Prokuroria pretendon se Kolgeci nuk është dashur ta lëshonte një rekomandim të tillë për arsye se sipas saj kompania “Prima Pharm” nuk ka qenë e certifikuar me PMP (Praktikën e Mirë Prodhuese).

Seanca e radhës do të vazhdojë në shkurt të vitit të ardhshëm

KALLXO.com raportoi edhe më parë për këtë rast.

http://kallxo.com/vazhdon-gjykimi-per-banderolat-e-ilaceve/

http://kallxo.com/debat-rreth-provave-ne-gjykimin-per-barnat/

http://kallxo.com/gjykimi-per-prodhim-te-ndaluar-te-barnave/